E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ançeloti-Murinjo, “lufta” transferohet në Londër



“Unë nuk njoh asnjë Special One”. Me një anglishte gati qesharake, Karlo Ançeloti, u prezantua në ditën e tij të parë zyrtare si lojtar i Çelsit. Dueli në distancë me Hoze Murinjon vazhdon, tanimë jo si rivalë në derbin e Milanos, Milan-Inter, por në raport me rezultatet te klubi londinez, klub të cilin tekniku portugez e ka drejtuar më parë. “Nuk më pëlqejnë krahasimet me trajnerët e tjerë”, - tha Ançeloti pa e përmendur me emër Murinjon. Duke iu përgjigjur një pyetjeje që kishte të bënte më portugezin, Karlo Ançeloti e tha qartë në anglisht “nuk e njoh Special One”. “I respektoj të gjithë kolegët e mi, por unë kam mënyrën time për të punuar”, - vazhdoi Ançeloti. Ançeloti nuk ka deklaruar asgjë në lidhje me planet e transferimit të lojtarëve për sezonin e ardhshëm, duke u fokusuar në fakt te lojtarët që tashmë janë nën kontratë me blutë. Ançeloti tha: “Deko e Karvajo? Nëse një lojtar dëshiron të largohet, duhet të flasë me klubin, dhe do të gjejmë një zgjidhje për të gjithë. Nuk dëshiroj të përmend emrat e lojtarëve. Është klubi që kontrollon merkaton. Aleksandër Pato dhe Andrea Pirlo janë lojtarë të Milanit. Për t’u përforcuar ka akoma kohë pasi merkato përfundon, më 31 gusht, por Çelsi është tashmë i fortë dhe konkurrues dhe kështu. E tregojnë pesë gjysmëfinalet në Ligën e e Kampioneve në gjashtë vitet e fundit. Didier Drogba është një sulmues i madh dhe unë dëshiroj të përdor cilësitë e tij për skuadrën. Ai është i fuqishëm dhe ka cilësi teknike”. Çelsi kompletoi transferimin e Juri Zhirkovit, i blerë nga CSKA-ja e Moskës në shumën e 18 milionë sterlinave (21 milionë euro). Londinezët nënshkruan një kontratë 3-vjeçare me anësorin rus 25-vjeçar. Zhirkov u rekomandua nga ish-trajneri i “Bluve”, holandezi Gus Hidink. Zhirkov u bashkua me sulmuesin Daniel Stjuridxh dhe portierin Ros Tërnbëll si pjesë e Çelsit për sezonin e ardhshëm. Trajneri i Çelsit, Karlo Ançeloti tha: “Zhirkov, Tërnbëll dhe Stjurixh, të gjithë janë lojtarët e Çelsit. Zhirkov, natyrisht do të luajë në të majtë. Mendos se ai mund të japë shumë dhe mund të luajë në mbrojtje dhe në mesfushë”. Trajneri i Çelsit foli edhe për ish-ekipin e tij, Milanin. “Fat të mbarë, Milan. Unë jam këtu (te Çelsi) për të fituar Ligën e Kampioneve”. Ish-tekniku kuqezi i uroi suksese skuadrës së drejtuar nga braziliani Leonardo, por nuk dëshiroi të fliste për fushatën e transferimeve, duke theksuar se “mezi priste të fillonte aventurën e tij të re angleze”. “Merkato është akoma e gjatë, - përfundoi Ançeloti, - por Çelsi është tashmë një skuadra e mirë për të fituar”.

SHEVÇENKO

Trajneri italian i Çelsit, Karlo Ançeloti, zbuloi se klubi dëshironte të fliste edhe me Andrij Shevçenkon në lidhje me të ardhmen e ukrainasit, ky i fundit e shpenzoi sezonin e kaluar si lojtar i huazuar te Milani. Ai shtoi: “Shevçenko është një lojtar i Çelsit dhe unë dëshiroj të flas me të. Ai do të vijë në Londër të martën dhe ai do të punojë me në përgatitjet e sezonit. Në këtë moment ne do të flasim me të për të gjetur zgjidhjen e duhur për ne”.

7 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›