E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ançeloti: Tani, të mundim Liverpulin!

10/05/2005  Trajneri i Milanit pranon se skuadra e tij do të mendojë vetëm për finalen e Ligës së Kampioneve

Pas humbjes me Juventusin, Karlo Ançeloti e pranon që tashmë i gjithë përqendrimi i takon finales së Ligës së Kampioneve, kundër Liverpulit: “Dy ndeshjet para finales do të na shërbejnë për të mbajtur të lartë përqendrimin, duke pritur ndoshta edhe ndonjë gabim të Juventusit”. Megjithatë, humbja e së dielës ndaj Juves djeg akoma dhe Ançeloti analizon edhe një herë atë ndeshje: “Fitorja e bardhezinjve e merituar? Nuk besoj. Juventusi u paraqit në këtë takim me mendje më të qetë. Ata u treguan të zotë në konkretizimin e rasteve që patën, ndryshe nga ne, por nuk mund t’i kritikoj lojtarët e mi, që bënë sa mundën. Pamë në fushë dy skuadrat më të mira të Italisë dhe pati një fitues. Megjithatë, mendoj se barazimi do të ishte një rezultat më i drejtë”. Ançeloti nuk kërkon të kapet pas episodit të dyshimtë të faullit mbi Kafunë: “Unë kam shumë besim te Kolina dhe nëse nuk fishkëlleu, do të thotë që nuk e ka parë, ose nuk i është dukur faull aq i rëndë sa për të dhënë penallti. Kemi luajtur 10 ndeshje në 30 ditët e fundit dhe presioni a qenë shumë i madh. Mendoj se jemi sjelluar mirë, ndaj jemi të qetë, megjithëse keqardhja është e madhe. Lodhje në prag të finales së Champions? Me atë pjesë të dytë që pashë, nuk besoj se skuadra është e lodhur”. Trajneri kuqezi nuk ka frikë se skuadra mund të ketë një rënie në prag të finales dhe lë të kuptohet se çdo ndeshje do të shfrytëzohet për t’u përgatitur sa më mirë. “Të dorëzohemi nga pikëpamja psikologjike? Nuk besoj, sepse tashmë nuk ka më shumë kohë. Juventusi është favorit, sepse ka përballje më të lehta, por nuk do të thotë që nuk mund të ketë surpriza, ndaj duhet të jemi gati. Është e vështirë të bësh llogari, por dihet që duhet të fitojmë çdo ndeshje, për të pasur ndonjë shpresë”, vazhdon Ançeloti, i cili e mbyll me një batutë për të ardhmen e tij: “Unë jam shumë mirë te Milani dhe kam akoma një marrëdhënie të shkëlqyer me drejtuesit e klubit. Megjithatë, në një të ardhme nuk e mohoj se do ta marr në konsideratë ndonjë ofertë nga Roma, të cilën kam dashur gjithmonë ta drejtoj”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›