E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pozita Destruktive

10/05/2005  I vetmi lajm i mirë për skenën politike shqiptare, institucionalizimi i mendimit ndryshe në gjirin e PS-së, humbi në fjalimet dhe imazhet rrënqethëse të kongresit elektoral të Partisë Socialiste, që me të drejtë u cilësua një kongres makabër. Aty nuk u afrua një alternativë qeverisëse për të ardhmen, nuk u bë një bilanc i plotë i qeverisjes së deritanishme, ndonëse në mënyrë mjaft absurde, Kryeministri Fatos Nano kërkoi falje për një sërë mosarritjesh sipas koncpetit tashmë të vjetër socialist: autokritika lan çdo faj. Ajo që pothuajse dominonte gjithçka ishte imazhi i Berishës dhe përsëritja pa fund e katastrofave të së kaluarës dhe të së ardhmes, që do të ndodhnin nëse vjen në pushtet Partia Demokratike. Me fjalimet që u mbajtën, i tërë kongresi dukej se ndillte pikërisht ato katastrofat, të cilat duheshin mënjanuar.

Në kongres, ofertës socialiste iu kushtua pak, ose aspak rëndësi, ndërsa hapësirën kryesore e zunë akuzat ndaj opozitës, ose ndryshe, opozita ndaj opozitës, aq sa një i huaj mund të mendonte se në pushtet vazhdon të jetë Partia Demokratike. Në vetvete i gjithë mesazhi i këtij kongresi mund të përmblidhet në fjalët “MOS!” dhe “NUK!” Mos votoni Berishën! Mos e ktheni mbrapsht ’97! Mos u gënjeni nga KOP-i! Mos u mashtroni nga programet e Partisë Demokratike! Mos harroni të kaluarën! Mos bashkëpunoni me Berishën! Nuk mund të jetë Berisha kryeministri juaj! Nuk mund të kapërdihet oferta e opozitës! Nuk ka sot dëm më të madh se t’i shërbesh opozitës së vjetër! Të tilla ishin mesazhet kryesore në fjalimin e kryeministrit Nano, ku më shumë se çdo gjë tjetër ndihej përpjekja për të penguar daljen në opozitë, në pamundësi për të arsyetuar qëndrimin në pushtet.

Në këtë mënyrë, ky kongres institucionalizoi një fenomen, që kish kohë që konsolidohej; formësimin e pozitës penguese, ose ndryshe, për të përdorur një term socialist, pozitën destruktive. Që nga fushata elektorale për zgjedhjet lokale të vitit 2003, por edhe gjatë prezantimit të platformave të KOP-it, e vetmja përgjigje ndaj alternativave qeverisëse të opozitës nga ana e pozitës ka qenë; nuk bëhet! I tillë ishte qëndrimi i socialistëve në fushatën Ngjela, ndaj propozimit për 24 orë ujë për Tiranën. Në të njëjtën mënyrë, ekspertët socialistë u ngritën kundër platformës fiskale të propozuar nga Partia Demokratike dhe në veçanti kundër propozimit për uljen e taksave dhe të TVSH-së. Dhe vetëm pak javë më vonë e propozuan vetë uljen e TVSH-së. Po kështu, propozimin e opozitës për ndërtimin e 25 000 hyrjeve në 4 vite për të pastrehët e hodhën poshtë si të pamundur, vetëm për të premtuar më pas se do të ndërtojnë 125 000 apartamente të reja në mandatin e ri qeverisës. Gjithashtu, propozimi i opozitës për ngritjen e bankës rurale për kreditimin e fermerëve, fillimisht u kundërshtua nga pozita, vetëm për t’u pasuar nga deklarata e Qeverisë socialiste për ngritjen e Bankës Rurale.

Me pak fjalë, lajtmotivi i pozitës së sotme është mohimi i alternativës qeverisëse që paradoksalisht vjen nga opozita. Kjo prodhon një hibrid shumë të çuditshëm, që mund ta emërtojmë pozita destruktive, duke huazuar një terminologji që më parë i është veshur opozitës. Ndërsa opozita, për nga vetë natyra e saj, është e prirur ta kundërshtojë mënyrën e qeverisjes së pozitës, është sa shqetësuese aq edhe absurde ndërrimi i roleve, pra kur opozita prodhon alternativa qeverisëse, të cilave shumica qeverisëse i kundërvihet. Kjo vjen si pasojë e faktit se shumica qeverisëse nuk ofron asnjë alternativë të besueshme qeverisëse dhe për pasojë e përqëndron të gjithë energjinë e saj në demonizimin dhe përbaltjen e kundërshtarit, si mundësinë e vetme për të penguar rotacionin e pushtetit. Rrjedhimisht, pozita nuk e prodhon, por i kundërvihet qeverisjes. Për këtë arsye, në raport me qeverisjen, ajo mund të emërtohet pozitë destruktive.

Fatkeqësisht, ky qëndrim destruktim nuk kufizohet vetëm te raporti i pozitës me qeverisjen. Ai është akoma më shqetësues në mënyrën se si ajo e koncepton mbajtjen e pushtetit. Partia Socialiste, pavarësisht se i referohet së tepërmi vitit 1997, duket se nuk ka mësuar nga pësimi spektakolar i Partisë Demokratike, që, më shumë se çdo gjë tjetër, thekson faktin se në një sistem pluralist pushteti nuk mund të mbahet me çdo kusht. Sa më e madhe sot insistenca për të mbajtur pushtetin me çdo kusht, aq më i gjatë qëndrimi në opozitë nesër. Aq më shumë kur pjesë e strategjisë për mbajtjen e pushtetit janë ndjellja dhe mbjellja e ndasive të paqena krahinore, fetare apo sociale. Fatmirësisht, teza të tilla, ndonëse shqetësuese, nuk pijnë ujë, pasi mësimin, që PS-ja duket se nuk do që ta mësojë, shoqëria jonë tashmë e ka përvetësuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›