E Hënë, 2 Nëntor 2026

INSTAT, nafta rriti çmimin e transportit

10/05/2005  Inflacioni në prill 1.3 për qind, të gjitha kanë kushtuar më lirë

Rritja e çmimit të karburantit ka ndikuar negativisht në çmimet e transportit, duke shtrenjtuar në prill çmimet e biletave. Llogaritja e Indeksit të Çmimeve për prillin ka treguar se konsumatorët kanë marrë frymë më lirisht, kur kanë bërë pazar në tregje kryesore dhe duket se çmimet e lira kanë ulur me 1.3 për qind inflacionin në prill. Por jo të gjithë sektorët kanë patur fatin të ulin çmimet. “INSTAT vëren se gjatë këtij muaji ka një rritje të indeksit të çmimeve në grupin transporti me 0.4 për qind, ku përmendet rritja e çmimeve të karburanteve me 1.5 për qind”, bëhet e ditur në buletinin mujor të INSTAT. Kështu, duket se nafta dhe çmimi i lartë i saj u ka kushtuar shtrenjtë të gjithë pronarëve të makinave, por dhe konsumatorëve që përdorin mjete publike për të qarkulluar brenda qyteteve ose brenda vendit. Jo vetëm kaq, por nafta ka ndikuar negativisht dhe mbi çmimet e transportit ajror, të cilat kanë shënuar një rritje çmimi gjatë muajit prill. Ndërkaq të gjitha produktet e tjera, veshje, këpucë dhe ushqime, kanë shënuar një ulje në indeksin e çmimeve për muajin prill. Promocionet e qendrave tregtare dhe dyqaneve për fundin e sezonit, kanë bërë që çmimet e veshjeve dhe të këpucëve të ishin në prill 0.8 për qind më të lira. “Brenda këtij grupi uljen më të madhe e shënoi nëngrupi ’veshje’ prej 1 për qind”, bën të ditur INSTAT. Kështu duket se muaji prill ka qenë jo vetëm më i lirë se marsi, por shumë më i lirë se sa prilli i një viti më parë, kur duket se norma mujore e inflacionit u vendos në kufirin e 3.2 përqindëshit, ndërkohë që këtë vit është 1.3 për qind. Tregjet ushqimore kanë vendosur në prill një kufi tjetër çmimesh në të gjithë asortimentet bujqësore dhe blegtorale. Kështu mund të thuhet se shporta ushqimore ka kushtuar të paktën 0.7 për qind më lirë dhe brenda grupit të madh ’ushqime’ rekordin e uljeve e kanë mbajtur perimet. Ndërkaq dalja nga sezoni i shumë frutave, që deri dje kanë patur çmime të ulëta në treg, ka bërë që çmimi i tyre të rritet të paktën me 2.2 për qind. “Nëngrupi ’fruta’ shënoi një rritje çmimesh prej 2.2 për qind”, bën të ditur INSTAT, duke përmendur rritjen e çmimit të portokalleve prej 5.5 për qind, kivit prej 4.4 për qind, mollëve prej 1.2 për qind, bananeve prej 0.6 për qind etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›