E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lioni fiton titullin, humbet trajnerin

10/05/2005  Lioni ka hyrë në historinë e futbollit francez, duke u bërë skuadra e tretë që ka fituar katër tituj rresht në Ligën 1. Lioni që e siguroi titullin të dielën, pas fitores 2-1 ndaj Ajaçios, është renditur përkrah St.Etienit që ka fituar po ashtu katër tituj të midis viteve 1967-1970 dhe Marsejës, 1989-1992. Presidenti i tyre, Zhan Mishel Aulas, tashmë është shprehur se kërkon të fitojë edhe titullin e pestë, por edhe Ligën e Kampioneve. “Jam i mbushur me emocione. Një titull është fantastik, por katër në radhë janë padyshim një gjë e veçantë. Ne duhet të përparojmë më tej vitin tjetër, duke fituar titullin e pestë dhe pse jo, edhe Ligën e Kampioneve – thotë Aulas. Kurse trajneri Pol Lë Gen ka vlerësuar shumë lojtarët e tij, të cilët e kanë ndihmuar për të fituar titullin e tretë, pasi ai zëvendësoi Zhak Santininë në vitin 2002. “Jam i gëzuar për këta lojtarë, të cilët janë vërtet të mrekullueshëm dhe shumë punëtorë” – thotë Lë Gen. Megjithatë, Lionit nuk duket se do t’i shijojë shumë ky titull, nëse mendojnë se sezonin e ardhshëm nuk do të kenë më me vete, trajnerin e tyre Lë Gen. Ky i fundit nuk ka pranuar të zgjasë më tej kontratën e tij me klubin dhe këtë vendim e ka marrë vetëm një ditë pas fitores së titullit. “Unë kam vendosur të mos e zgjas kontratën time me Lionin. Mua m'u dha shansi për të ndenjur edhe tre vjet të tjera këtu, por nuk e pashë të arsyeshme ta bëja një gjë të tillë” – është shprehur Lë Gen. Ky i fundit është shprehur se nuk ka ndonjë plan konkret për të ardhmen, megjithëse mediat pohojnë se ai mund të shkojë te ish-skuadra e tij, PSG. “Unë nuk e di se ku do të shkoj në të ardhmen, por e vetmja gjë e sigurt është se ende nuk jam lodhur me futbollin” – përfundon Lë Gen, ndërkohë që favoritët për të marrë postin e tij te Lioni, mund të jenë trajneri i Real Sociedadit, Rainald Denui, ai i Renesë, Pazlo Boloni, por edhe trajneri i Lilës, Klod Puel.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›