E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ançeloti në 360°: Pato, Çelsi-Barça, Juve e Murinjo

Ai që flet është ish-trajneri kuqezi, Karlo Ançeloti, i cili, nga Mbretëria e Madhërisë së Saj, dëshiron të dëgjohet zëri i tij në lidhje me krizën e Milanit. Karleto, aktualisht në drejtimin e Çelsit me të cilin po merr rezultate të mira (7 fitore në 8 ndeshje), nuk i ka harruar vitet që ka kaluar te Milani si lojtar ashtu edhe si trajner. Vite që kanë krijuar një lidhje të fortë mes tij dhe ish-klubit. Tani që nuk mundet të flasë më si trajner, flet si spektator. Në 360°. Nga eksperienca e tij angleze te ky Milan në krizë të dukshme. "Në Angli banoj në fshat, ka deklaruar, është ai vendi im ideal edhe pse shpesh me duhet të vizitoj Londrën. Në futbollin anglez ritmet janë më të larta dhe përdoret më shumë fiziku. Unë te Çelsi kam sjellë njohuritë e mia taktike, fushë në të cilën ne italianët jemi mjeshtër, dhe deri tani gjithçka po ecën mirë". Por nëse italianët janë mjeshtër për njohuritë taktike, vjen vetvetiu pyetja pse Milani po ecën kaq keq. Karleto ka teorinë e tij: "Skuadra kuqezi po kalon një moment delikat i lidhur me shitjen e Kakasë, por ka potencial për ta rimarrë veten. Leonardo ka një detyrë të vështirë, por do ta shikoni shpejt, që do t‘ia arrijë të transmetojë idetë e tij". I vetmi që mundet ta nxjerrë Milanin nga kriza është Pato. "Tifozët kuqezinj duhet t‘i qëndrojnë pranë skuadrës, ajo do të kthehet te fitoret. Çfarë po i ndodh Patos? Asgjë, si të gjithë kampionët e rinj po kalon një moment jo të mirë. Por jam i sigurt, që është ai lojtari më i mirë i Milanit". Ançeloti flet edhe për paraardhësit e tij në pankinën e Çelsit: "Murinjo? Të gjithë e kujtojnë me dashuri, nga drejtuesit te lojtarët. Kjo është kënaqësia më e madhe për një trajner. Unë e dëgjoj gjithmonë në TV, ka pak kohë që nuk më sulmon...". Sfida me Barcelonën: "Në Champions është skuadra më e fortë, por në mars nuk do të jetë kështu. Ne luajmë kundër tyre që në këto momente". Ndërsa për Juventusin: "Këtë vit do të luftojë për titull deri në fund". Batuta e fundit është për anglishten e tij, e cila në fillim të sezonit, ka bërë të qeshin si në Angli ashtu edhe në Itali. "It‘s improving (po përmirësohet)", ka bërë shaka Ançeloti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›