E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uejn Runi: Botërori 2010? Më mirë pa Kristiano Ronaldon

Uejn Runi nuk i kursen deklaratat e forta ndaj Kristiano Ronaldos, ish-shokut të skuadrës te Mançester Junajtid. Edhe pse marrëdhënia e tyre në "Teatrin e Ëndrrave" dukej mjaft e mirë, tashmë që portugezi luan me ngjyrat e Realit të Madridit, sulmuesi britanik tregon se jo gjithçka ka qenë perfekte. "Nuk më intereson aspak nëse Kristiano rrezikon të mbetet jashtë Kupës së Botës 2010", ishte komenti i Runit rreth pyetjes së gazetarëve se çfarë mendonte për faktin që ‘Topi i Artë‘ mund të mos luajë në evenimentin e Afrikës së Jugut. Luzitanëve të drejtuar nga Karlos Kueiroz nuk i mjaftojnë dy fitoret e tyre në eliminatore (në sfidat e mbetura me Hungarinë dhe Maltën), për t‘u kualifikuar matematikisht në aktivitetin që do të zhvillohet gjatë verës së ardhshme. Ata shpresojnë të paktën të futen në fazën "play-off", duke siguruar vendin e dytë në Grupin 1, por kjo realizohet nëse Suedia bën hapa falsë. Ai shtoi: "E njëjta gjë vlen edhe për Lionel Mesin. Ne duhet të jemi të përqendruar vetëm te ecuria jonë. Gjithsesi, për të qenë plotësisht i sinqertë me juve, për Anglinë do të ishte më mirë që Portugalia të mos merrte pjesë: ata na kanë eliminuar nga aktivitetet madhore në dy edicionet e fundit".

Në të vërtetë, ai që ndërpreu ëndrrën e "Tre Luanëve" në çerekfinalet e Botërorit 2006 që u zhvillua në Gjermani, nuk ishte Kristiano Ronaldo, por vetë Runi. Sulmuesi u largua nga loja me karton të kuq, pas një faulli ndaj Rikardo Karvajos. Gjithsesi, 23-vjeçari nuk u shndërrua në "armikun e kombit", ndryshe nga sa kishte ndodhur më parë me Devid Bekham në Botërorin 1998 (faull i ngjashëm ndaj argjentinasit Diego Simeone) dhe me Fil Nevil në Euro 2000 për episode të tilla. "Natyrisht, jam i kënaqur që nuk pësova të njëjtat kritika dhe sulme si ata, nënvijëzoi sulmuesi i Junajtid. Sa herë që kam veshur fanellën e përfaqësueses, tifozët janë treguar fantastikë me mua. Nuk e kam parë asnjëherë atë ndeshje me Portugalinë, ndërsa për incidentin jam i bindur se nuk e godita kundërshtarin. Por, tani nuk mendoj për atë që ka ndodhur: shoh përpara dhe dua të riparoj gabimet që kam bërë gjatë rrugës". Pavarësisht moshës së re, talenti britanik është një prej lojtarëve kryesorë në skuadrën e drejtuar nga Fabio Kapelo. Me kualitetin dhe forcën që ofron në repartin ofensiv, Runi është përqendruar te sukseset e ardhshme me Kombëtaren, pa anashkaluar edhe çmimin "Fifa World Player 2010", duke qenë se për vitin 2009, sipas të gjitha gjasave ky trofe do të bëhet pronë e Lionel Mesit. "Ky objektiv më motivon edhe më shumë", shpjegoi sulmuesi. "Të luash në Botëror dhe të fitosh Kupën është një ndihmë shumë e madhe për këtë çmim dhe këto janë gjëra që mund të bëjnë diferencën. Shikoni Kanavaron: në vitin 2006 u shpall ‘Lojtari më i Mirë në Botë‘ sepse u paraqit mjaft mirë në Kupën e Botës kur Italia u shpall kampione. Gjithsesi, për mendimin tim, atë vit kishte lojtarë të tjerë që e meritonin edhe më shumë".

Pavarësisht deklaratave anti-Portugalisë, sipas Runit, miku-armik Kriatiano Ronaldo vazhdon të jetë lojtari më i mirë në qarkullim. "E kam ndjekur në paraqitjet e tij të fundit në kampionatin spanjoll dhe kuptova se është përmirësuar edhe më shumë. Madje, tani ka mësuar edhe ta pasojë ndonjëherë topin. Realisht mendoj se Kristiano është lojtari më i mirë në botë në momentet që flasim. Ai arrin të bëjë diferencën në çdo ndeshje".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›