E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rog kërkon të vendosë paqe ndërmjet KOKSH dhe qeverisë

Pasi ka fituar mandatin e dytë në krye të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Zhak Rog ka premtuar se do të angazhohet personalisht për të zgjidhur konfliktin ndërmjet Komitetit Olimpik Kombëtar dhe qeverisë shqiptare. Kjo është konfirmuar nga presidenti i KOKSH-it, Agim Fagu, i cili mori pjesë në Kongresin XIII Olimpik të organizuar nga IOC në Kopenhagën. Aty u nxorën edhe rekomandimet, ku më kryesoret ishin: marrëdhëniet ndërmjet sportistëve, klubeve, federatave dhe komiteteve olimpike; vlerat olimpike dhe më kryesorja autonomia e lëvizjes olimpike. "Komiteti ndërkombëtar, me dëshirën e madhe që të mbështesë dhe të ndihmojë lëvizjen olimpike shqiptare që të ecë përpara, ftoi drejtuesit e KOKSH-it dhe të qeverisë për një vizitë në selinë e IOC-së, për t‘u takuar me zotin Rog", deklaroi Fagu. Situata me Ministrinë e Sporteve ka mbetur ende e tensionuar, për shkak të ndryshimeve që ndodhën në këtë institucion.

e. k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›