E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi, BDI-PDSH, ulëse të barabarta

Dy partitë shqiptare PDSH dhe BDI në Maqedoni kanë fituar numër të njëjtë deputetësh në Parlamentin e ri maqedonas, sipas KSHZ në Maqedoni. 

Por, se cila parti do të jetë në pushtet nuk është bërë ende e ditur zyrtarisht. Të dyja partitë deklarojnë suksesin e vet dhe reciprokisht të drejtën për të qenë në qeveri. Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi tha në një deklaratë për “Top-Channel” se, partia e tij do të jetë pjesë e qeverisë së re të Maqedonisë. Ai shtoi se ka pasur disa takime joformale me liderin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Dy partitë e mëdha shqiptare pas numërimit të votave fituan nga 13 vende në Kuvendin e ri të Maqedonisë. Ndërsa VMRO DPMNE siguroi 64 vende, kurse rivalja e saj, LSDM-28 vende. Dy partitë e vogla, PPD dhe PAE, nga një vend. Koalicioni i Gruevskit ka fituar shumicën dërrmuese të mjaftueshme edhe për të formuar qeverinë i vetëm. Por, ministri i Jashtëm maqedonas, Antonio Milloshoski, tha për BBC se: “Në Qeverinë maqedonase do të ketë patjetër parti të shqiptarëve, sepse kjo është e drejtë tradite”. Ai shtoi se, VMRO-DPMNE do ta bëjë këtë edhe pse nuk ka nevojë për koalicion, pasi në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të dielën siguroi shumicë votash absolute në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Ndërkohë, Partia për Prosperitet Demokratik (PPD) ka paralajmëruar bashkimin me Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH). Nisma vijon, pasi që të dyja partitë konstatuan se, së bashku do të sigurojnë më shumë mandate në përbërjen e re parlamentare. Maqedonia duhet ta ndërtojë Kuvendin e ri deri më 22 qershor, ndërsa qeverinë e re deri më 6 gusht. Zgjedhjet në Maqedoni ishin të mbushura me incidente dhe dhunë. Ministria e Brendshme maqedonase ka arrestuar 28 persona të përfshirë në incidentet e zgjedhjeve. Në incidentet në Haraçinë ka humbur jetën Naser Ajvazi dhe janë plagosur 9 persona. Dje herët në mëngjes u vendos masa e paraburgimit për ish-komandantin e UÇK-së, Agim Krasniqin, Daim Fazlievin, Sehat Ramadanin dhe gjashtë të akuzuarve të tjerë për “posedim të armëve pa leje”, “veprime kriminale”, “pengesë të procesit zgjedhor” dhe për “shitje të lëndëve narkotike”. Incidentet e shkaktuara në zonat shqiptare i kushtuan Maqedonisë kritika të forta nga ndërkombëtarët. Ndërkohë, liderja e Lidhjes Socialdemokratike (LSDM) Radmilla Shekerinska paralajmëroi dje, se do të tërhiqet nga posti i lideres në parti pas humbjes së zgjedhjeve. Maqedonia pritet të rivotojë në disa zona zgjedhore, ku ka pasur incidente, por kjo nuk mund të luhatë rezultatin. BDI njoftoi se, do të dërgojë kërkesën për rivotim në 150 qendra votimi, ku ka pasur parregullsi.

“Rivotim dhe ndjekje të dhunuesve”
Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje që në zonat e votimit, ku ka pasur probleme në Maqedoni të rivotohet dhe të ndiqen përgjegjësit për dhunën dhe krijim të atmosferës në të cilën njerëzit do të mund të votojnë gjatë përsëritjes së zgjedhjeve. Kështu deklaroi dje, zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Shon MekKormak lidhur me dhunën në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni. “Eshtë e qartë se kishte probleme shumë serioze”, tha MekKormak duke shtuar se, SHBA do të presë të japë vlerësimin përfundimtar mbi zgjedhjet e së dielës pasi të bëhen të njohura zyrtarisht rezultatet përfundimtare. Ai theksoi se, Maqedonia do të mund të vazhdojë me përpjekjet për aderim në NATO, pas përmirësimit të problemeve me zgjedhjet dhe pas zgjidhjes së problemit me Greqinë për emrin.

“Pa afate për njohjen e Kosovës”
“Maqedonia nuk ka përcaktuar asnjë afat për njohjen e Kosovës dhe një vendim të tillë nuk do ta marrë nën asnjë lloj presioni”, ka deklaruar Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, partia e të cilit VMRO-DPMNE triumfoi në zgjedhjet parlamentare të së dielës. Gruevski ka thënë se, partitë shqiptare i kanë bërë presion për njohjen e Kosovës, por ka shtuar se qeveria nuk i merr vendimet në bazë të presioneve. “Ka pasur presion të madh, por Maqedonia ka interesa shtetërore, ka politikën, argumentet dhe partnerët e saj. Ekziston NATO dhe BE. Ne nuk jemi indiferentë ndaj presioneve, por nuk i marrim vendimet nën presione”, ka theksuar Gruevski. Ai përsëriti se: “Nuk ka afate për njohjen e Kosovës”. Kështu Gruevski ka përgënjeshtruar edhe zërat e mediave ballkanase, të cilat citonin se njohja e Kosovës nga Maqedonia do të bëhej menjëherë pas zgjedhjeve, në qershor.

“Zgjedhjet nisën një krizë të re”
Ish-kryeministri maqedonas, Lyubcho Gjeorgjevski ka deklaruar në një televizion bullgar se, zgjedhjet në Maqedoni nuk ishin të domosdoshme. “Fitorja dërrmuese e VMRO-DPMNE nuk do të sjellë asgjë të re në politikën e Maqedonisë, pasi principet federative të formimit të kabinetit kanë ekzistuar gjatë në vend”, tha Gjeorgjevski. Ai parashikoi se, zgjedhja e një partie shqiptare në Qeveri do të radikalizonte partinë tjetër shqiptare. Gjeorgjevski tha se, Maqedonisë i duhet të kapërcejë krizën e vitit 2001 dhe dy konfliktet bazë: emrin me Greqinë dhe plotësimin e kërkesave të shqiptarëve për të cilat ende nuk është bërë asgjë. Ai shtoi se, zgjedhjet dhanë arsye për në listë të re kërkesash nga shqiptarët, të cilat mund të çojnë në “Një copëzim gradual të shtetit Maqedonas”. “Me këto zgjedhje ka nisur një krizë e re në Maqedoni”, tha Gjeorgjevski

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›