E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkimet nënujore në ujërat e Ilirisë së Jugut do të vazhdojnë deri më 2014-n



Deri në vitin 2014 do të vazhdojnë ekspeditat dhe zhytjet nënujore në bregdetin tonë nga specialistët amerikanë, të cilët në bashkëpunim me specialistët italianë dhe ata shqiptarë, si Auron Tare e Neritan Ceka, tashmë kanë eksploruar një pjesë të mirë të panjohur më parë të hartës të pasurive arkeologjike nënujore në brigjet Ilirisë së Jugut. Interesant mes të tjerash mbetet fakti se sipas specialistëve, nga rezultatet që ata kanë ndeshur gjatë zhytjeve të tyre mendohet se brigjet tona mbroheshin nga një flotë tregtare vendëse, e cila ruante edhe vijën mes ilirëve dhe helenëve. Objektivat e ekspeditës për këto vite janë testimi i brigjeve të brendshme e të jashtme të kepit të Karaburunit si dhe të gjireve detare të Gramës, Arushës, Shën Janit, Shën Vasilit etj. Gjithashtu, pritshmëri e rezultatit është konfirmimi i pranisë së sanktuareve antikë e mesjetarë. Anija që do të merret me kërkimet do të vazhdojë të jetë “Herkules”, e cila drejtohet nga Xhorxh Rob dhe Xhefri Rojal.

BOTIMI

“Historia e letërsisë perse” tani “flet” edhe në shqip

Fondacioni kulturor “Saadi Shirazi” përktheu dhe botoi në gjuhën shqipe librin “Historia e letërsisë perse” të autorit iranian Ahmed Tamimdari. Botimi i këtij libri bëhet me rastin e shpalljes të vitit 2009 nga UNESCO si viti botëror i gjuhëve. Duke pasur parasysh kapacitetet e pranisë dhe të së kaluarës të letërsisë perse në trojet shqiptare, ky libër do të shërbejë si një burim i përshtatshëm për të interesuarit dhe hulumtuesit shqipfolës të rajonit. Libri në fjalë u përkthye nga Abdullah Rexhepi, student shqiptar që vazhdon studimet për doktoraturë në gjuhë dhe letërsinë perse në Iran. Redaktimi i librit është bërë nga prof. dr. Jorgo Bulo, një nga figurat më të shquara të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Në parathënien e këtij libri, drejtori i fondacionit kulturor “Saadi Shirazi”, Shahrouz Falahatpisheh, mes të tjerash thotë: “Letërsia perse është një thesar i madh dijesh dhe njohurish. Kjo letërsi ka mundur më së miri që të ruajë mësimet e saj dhe t’i përcjellë ato te popujt, te kulturat dhe qytetërimet e tjera botërore. Kudo që ka depërtuar kjo letërsi, opinioni publik kulturor i atij vendi jo vetëm që e ka përqafuar vullnetarisht dhe me dëshirë këtë letërsi, por më së miri e ka shfrytëzuar duke pasuruar thesarin e njohurive të letërsisë së vet...”

21 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›