E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamurtar, kot që e more vizën!

 

Adriatik Balla

Ka përfunduar në mënyrën më të turpshme prezantimi i skuadrave shqiptare në kompeticionet evropianeTeksa Flamurtari i Vlorës, ekipi që deri tani kishin varur të gjithë shpresat për një kualifikim të mundshëm, shënon dhe humbjen më të thellë në tërë historinë e prezantimeve të shqiptarëve në kompeticionet ndërkombëtare, duke u mundur nga Madhëruelli skocez me rezultatin 8:1, një rezultat i padëgjuar më parë dhe një humbje e pajustifikuar me asnjë lloj argumenti logjik. Euforia që kishte mbërthyer skuadrën vlonjate para nisjes dhe shpresat e mëdha për kualifikim nuk korresponduan aspak me realitetin në fushën e lojës, ku brenda pak minutash shembet e tërë mbrojtja kuqezi. Serinë e golave për skocezët e hap Mërfi në minutën e 16-të, teksa para tij ishin vlonjatët që rrezikuan në dy-tre raste portën e vendasve, por pa sukses. I njëjti autor godet sërish tri minuta më vonë, duke dyfishuar rezultatin. Sulmuesit e Madhëruellit tentojnë gjithnjë e më shumë dhe vlonjatët e kanë të vështirë të gjejnë ritmin e kërkuar për t’i ndalur. Kështu, në minutën e 25-të është Slane që trefishon rezultatin dhe shuan pikërisht në këtë moment ëndrrën e kuqezinjve për të kaluar në turin tjetër, ndërkohë që tre minuta më pas, pikërisht në të 28-ën, është Forbs që shënon të katërtin nga pika e bardhë e 11-metërshit. Morali i skuadrës së Memushit bie në zero dhe skocezët fillojnë të vallëzojnë sipas dëshirës në mbrojtjen e Flamurtarit. Moçka bëhet spektator i lojës së kundërshtarit dhe nuk di kujt gjuajtjeje t’i përgjigjet më parë. Pothuajse çdo aksion i Modhëruellit përfundon me realizimin e golit. Në minutën e 34-t Mërfi do të shënojë dhe golin e 5-të për skuadrën e të tretin personal, por ndëshkimi për kuqezinjtë vlonjatë në këtë 45-minutësh nuk do të ndalej këtu. Në minutën e 38-të Madhëruelli shënon golin e 6-të, me autor Huçinson. Gjashtë gola në një pjesë loje nuk ishte parë e dëgjuar ndonjëherë dhe gjithë problemi në pushimin e ndeshjes për ekipin e Memushit ishte të organizohej për të mos pësuar të tjerë gola në pjesën e dytë. Por edhe pse pritej një reagim virtual i Flamurtarit në fushën e lojës, skocezët nuk ndalen as në pjesën e dytë, ku serinë e golave e çel Forbsi, që çon në shtatë numrin  golave për ekipin e tij. Reagon disi Flamurtari në mesin e pjesës së dytë, kur Roshi i futur në fushë në minutat e fundit të pjesës së parë realizon brenda zonës në të 65’. Por nuk pajtohet me pësimin e golit Madhëruelli, i cili shënon sërish në minutën e 72-të, këtë herë me autor Mekhjuxh. Minutat në vazhdim shfaqen të qeta, pasi edhe vetë vendasit u lodhën së shënuari. Për ta, ishte më shumë se sa një seancë e lehtë stërvitore, ndërkohë që Flamurtari ynë futet në histori, këtë herë jo me bëmat e tij heroike që i shkojnë për shtat natyrës së vlonjatëve dhe Vlorës në tërësi, por shënon një rekord historik negativ, që do të kujtohet gjatë, ndoshta për shumë pikëpyetje që mund të mbartë kjo ndeshje.

skeda

Madhëruell – Flamurtari 8-1

Golat: Mërfi 16’, 19’, 34’, Slane 25’, Forbes 28’(p), 50’, Hutkinson 38’, Mekhjuxh 72’/Roshi 65’

Madhëruell: Freizer, Reinolds, Kraigan, Humferi (69’Mekhjuxh), Xhenings (68’Lesli), Suton, Mërfi, O’Brajan, Forbes, Hutkinson, Slane (78’Pejxh)
Trajner: Xh.Ganon

Flamurtari: Moçka, Guga, Begaj, Alvizh, Mema (46’Shehaj), Ngjela (46’Galica), Veliu, Strati, Zeqiri, Sakaj, Beqiri (38’Roshi) Trajner: E.Memushi

Gjyqtarë: M.Lerjeus, H.Andren, D.Uarnmark (Suedi)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›