Andralla “Seseri” që shfaq në dritë të plotë PS-në anti-europiane
Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian vlen sa një deputete të Partisë Socialiste. Kështu mund të lexohet kërcënimi i paprinciptë i Edi Ramës në adresimit të kreut të maxhorancës. I pranishëm në mbledhjen e djeshme të grupit PS-se, Rama e quajti “goditje antidemokratike” vendimin e Këshillit të Rregullores e Mandateve, ku mazhoranca vendosi t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për zëvendësimin e postit të Rudina Seserit, jo me emrin e parë, që i përket (Gjon Bardhit, aktualisht kryetar i Bashkisë Fushë-Krujë) por të tretit në listë, që i përket Edison Konomit. “Apeli për kryeministrin është të heqë dorë nga mandati i deputetit PS për të mos hapur një andrallë të re dhe shumë të madhe, për funksionimin e parlamentit në një kohë kur të gjithë duhet të bëjmë çmos të marrim statusin e vendit kandidat ne BE. Ende duhet të shpresojmë që ky problem nuk do të kthehet në një krizë politike” deklaroi Rama në mbledhjen e grupit PS të zhvilluar dje në mesditë në selinë rozë.
Kuptohet vetiu që vesi i kërcënimeve me “krizë” është një refleks i kushtëzuar i opozitës shqiptare, e cila e ka të vështirë të ndjekë procedurat që parashikon neni 164 i Kodit Zgjedhor, që parashikon rrugën qartësisht ndërprerjen e mandatit dhe zëvendësimit. Mirëpo Rama kërcënoi haptazi rikthimin e politikës së bllokimit, fiks në ditën kur raportuesit e KiE janë në Tiranë për një raport faktmbledhës për proceset dhe përmbushjen e rekomandimeve të vendosura nga Bashkimi Europian. Strategjia e opozitës është të galvanizojë konfliktin institucional, duke ia lënë fajin shumicës parlamentare, me qëllim shtyrjen (për herë të tretë) të marrjes së statusit të vendit kandidat.
Kësisoj Edi Rama përdor mandatin e Rudina Seserin si një levë arkimedi për të përmbysur gjithë reformat integruese në kuadër të përafrimit të legjislacionit me BE, me një kërcitje dhëmbësh primitive. Duket sikur integrimi i Shqipërisë vlen sa marrja e karriges së një të anonimi socialist, që po meriton postin e deputetit vetëm sepse gjendet në listë dhe jo për mandatin e votimit popullor. Deputetët e përzgjedhur nga kryetari Rama janë produkt i paqartësive nistore të projektit politik “përtej së majtës dhe së djathtës”. Fakti që Rudina Seseri braktisi detyrën më të rëndësishme institucionale, të deputetit të Republikës së Shqipërisë, organit më të lartë ligjvënës në vend, është sa i pakuptueshëm po aq i pamoralshëm. Seseri ishte një nga gabimet e shumta të Ramës që çuan atë dhe Partinë Socialiste drejt dështimit në zgjedhjet e fundit vendore. Një anonime totale, prej vitesh emigruar në SHBA, aliene ndaj politikës shqiptare, që katapultohet në gjirin e PS-së dhe madje bëhet edhe deputete. Nga ushtrimi i detyrës së deputetes Rudina Seseri do të mbahet mend vetëm për mënyrën e saj naive të të diskutuarit në debatet televizive për çështje ekonomike. Sigurisht në aspektin politik ishte komplet pa lidhje.
Sidoqoftë palidhje me politikën duket vetë kreu i Partisë Socialiste, që në kryet të herës deklaroi se nuk ishte një politikan. Dhe kjo i ka kushtuar shtrenjtë vendit sepse do ish mundur të shmangej humbja për dy herë të statusit të vendit kandidat, shumë protesta, demonstrata të dhunshme, 4 të vdekur e qindra të plagosur, një grevë urie të pakuptimtë, etj. Të gjitha papërgjegjshmëritë e këtij njeriu do të ishin shmangur në qoftë se do të përtypte pak shkencën e politikës dhe politikëbërjes.