E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e sovranitetit dhe delegjitimimi i shtetit

GRID RROJI

Nuk është ngjarje e pazakontë që debati politik në Shqipëri të përqendrohet te qëndrimet e ndërkombëtarëve mbi çështje themelore të funksionimit të sistemit politik dhe demokracisë. Së fundi, deklaratat e ishambasadorit amerikan në pension, Uidhers, kanë krijuar pështjellim te shumica dhe ngazëllim te pakica, ndërsa ndjenjat e palëve ishin të anasjella përsa i përket deklarimit të ambasadorit aktual, Arvizu, mbi 21 janarin. Sakaq, përpjekja për të udhëtuar në Uashington e për tu pritur nga zyrtarë të Departamentit të Shtetit, është një orvatje për tu legjitimuar në sytë e publikut me anë të krijimit të perceptimit të mbështetjes amerikane. Llogaria që bëhet është se megjithëse ka tashmë mijëra të diplomuar në universitetet perëndimore, publiku injorant nuk mund ta kuptojë se një takim në Departamentin e Shtetit nuk është tregues i besueshmërisë e as i pranueshmërisë së aktorëve politikë shqiptarë nga Amerika. Mirëpo, Diplomacia amerikane nuk është mall që blihet e shitet sipas ngjitje-zbritjeve të tregut politik shqiptar. Madje kjo lloj sjelljeje e të gjitha palëve tradhton mungesën e legjitimitetit të shtetit dhe i bën politikanët shqiptarë qesharakë në sytë e ndërkombëtarëve. Në qoftë se i referohemi konceptit Krasnerian të sovranitetit të brendshëm, i.e. aftësia legjitime e shtetit për të kontrolluar çdo aspekt të jetës brenda një hapësire, legjitimiteti vjen nga pranimi i autoritetit të shtetit nga qytetarët dhe aftësia e këtij të fundit për të përmbushur detyrimet karshi qytetarëve. Një shtet legjitim, dhe vetëm një shtet i tillë, gëzon autoritetin moral për të marrë vendime mbi politika, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të vet. Në këtë këndvështrim, vendimet mbi sistemin zgjedhor, politikat zhvillimore dhe politikën e jashtme, janë përcaktuese për të matur sovranitetin e një shteti. Mirëpo, në Shqipëri kodet zgjedhore duhet të kenë vulën e OSBE/ODIHR-it, politikat zhvillimore i referohen plotësimit të kushteve për integrimin në BE, ndërsa politika e jashtme është vetëm ripërtypje e deklaratave ndërkombëtare. Pra, në shtetin shqiptar politika nuk mundet ta krijojë legjitimitetin e duhur për ti ndërmarrë këto politika dhe detyrohet ta kërkojë legjitimitetin nëpërmjet aparencës së mbështetjes ndërkombëtare. Thënë thjesht, politika shqiptare kërkon të legjitimohet artificialisht me anë të vizitave në Uashington apo duke cituar mbështetjen e OSBE-së për Kodin Zgjedhor, sepse është e ndërgjegjshme që jashtë rretheve klienteliste dhe militantëve mendjembyllur pakkush u beson tashmë përrallave mediatike që ajo tjerr nëpër mediat përkatëse. As Edi Rama e as Sali Berisha nuk shqetësohen për nivelin e ulët të sovranitetit të shtetit, sepse qëllimi kryesor i tyre është të luftojnë për pushtetin në mënyrë që tu ndajnë mbështetësve plaçkën që garanton ai. Ndaj dhe përplasja politike në Shqipëri nuk bëhet nga pozita ideologjike (megjithëse zhurma mediatike synon të krijojë një iluzion të tillë), por nga pozita thjesht pragmatiko- gllabëruese. Përndryshe, nuk mund të konceptohet se si një forcë antikomuniste si PD-ja bën aleancë me enveristët e Ilir Metës për të qeverisur dhe marrëveshje me çunat e Bllokut të Edi Ramës për një sistem zgjedhor të kontrolluar nga të dy së bashku. Njëherazi, rilindësit e rinj biznesmenë të Gramoz Ruçit dhe Edi Ramës janë të gatshëm të sakrifikojnë çdo princip realisht të majtë për të zmadhuar llokmën që marrin nga shteti duke bërë kompromise pa fund dhe duke mbajtur në politikë armikun Berisha. Madje, duket sikur ndër politikanët shqiptarë mbizotëron mendësia se ky realitet i përçudnuar është thjesht i paevitueshëm dhe se ky është fati ynë. Politika jo vetëm nuk përpiqet ta fshehë varësinë që ka ndaj Perëndimit legjitimues, por e përqafon këtë lloj legjitimimi si i vetmi i mundshëm. Siç shprehej në një shkrim analisti Artan Hoxha, pas kthimit nga Amerika edhe Edi Rama e ka kuptuar tashmë se rruga e vetme e pranuar drejt pushtetit është garantimi i sistemit. Mirëpo kjo do të ishte një sjellje racionale vetëm nëse sistemi do të ishte vendosur parimisht në funksion të interesave të qytetarit, duke garantuar të drejtat themelore demokratike. Por, kur sistemi politik kontrollohet me marrëveshje dypalëshe, ekonomia është në duart e disa grupeve të ngushta të lidhura o me pushtetin, o me pretendentët e tij dhe media, për arsye mbijetese, është qartazi e rreshtuar në njërin apo tjetrin krah, nuk kemi të bëjmë më me një demokraci, por me një plutokraci kleptokratike. Ky lloj sistemi përdor mjete demokratike, por edhe metoda manipuluese për të kufizuar lirinë e qytetarëve duke penguar alternativa jashtë sistemit e duke iu mohuar kësisoj qytetarëve atë vlerë themelore të demokracisë, lirinë e të zgjedhurit. Po ashtu, mungesa e dallimit ideologjik midis palëve, që rrjedh nga origjina e tyre post-gjilasiane, e bën të pamundur zhvillimin e një mjedisi të shëndetshëm demokratik, duke krijuar mendësinë se nuk ka asnjë zgjedhje apo zgjidhje tjetër. Në mungesë të dallimeve, nuk ekziston as mundësia e as dëshira e ndonjërës palë për të ndërtuar një shtet të konsoliduar, i cili të kufizojë fushën e veprimit të palëve me anë të ligjit. Ligjin e bëjnë dhe e konsumojnë ata vetë! Përfundimi logjik ku të çojnë këto vëzhgime është se shteti shqiptar dhe aktorët që e përfaqësojnë atë aktualisht nuk kanë kurrfarë sovraniteti mbi vendimet kryesore që merren, cilado qoftë formula e ndarjes së pushtetit mes palëve politike. Mungesa e legjitimitetit duket haptas te përpjekjet e tyre për të ndërmarrë udhëtime diplomatike në Amerikë, duke u munduar të krijojnë lojëra pasqyrash. Për rrjedhojë, shteti i dobët shqiptar jo vetëm që nuk e ka më legjitimitetin e brendshëm, por nuk po i përmbush funksionet themeltare që ka vis-a-vis shqiptarëve duke penguar hapësirën e lirë politike, ekonomike dhe të shprehjes. Vizitat në Uashington dhe përdorimi i vulës legjitimuese të OSBE-së për sistemin zgjedhor nuk mund ta mbulojnë diellin me shoshë. Shqiptarët sot kanë një klasë politike aq të papërgjegjshme, sa për hir të karriges së tyre ata janë gati tua shesin humbjen e legjitimitetit dhe sovranitetit të shtetit si arritje. Shumica e vendeve të zhvilluara dhe stabël në botë janë vende që kanë ndërtuar gradualisht vetëdijen e domosdoshmërisë së një shteti solid e legjitim, të ndërtuar mbi baza kombëtare. Me fjalë të tjera, në qoftë se shteti është instrumenti që rregullon veprimtarinë e grupeve dhe qytetarëve brendapërbrenda kufijve, vetëdija kombëtare është zamka ideologjike që mundëson vizionin e përbashkët të një grupi shoqëror dhe garanton liritë demokratike. Në këtë njëqindvjetor të krijimit të tij, shteti shqiptar nuk mund të ringrihet në qoftë se nuk rikonceptohet mënyra e të bërit politikë dhe nuk rikonceptohet sistemi politik. Tranzicioni do të përfundojë vetëm kur të bëhet ndarja finale nga mendësia dhe metodat politike të komunizmit, të cilat ende përshkojnë veprimin politik të politikës shqiptare. Për të rifituar legjitimitetin e shtetit nuk mjaftojnë as premtimet groteske të shumicës e as retorikat hipokrite për rilindje të opozitës. Për të ringritur shtetin shqiptar nevojitet një rizgjim i energjive kombëtare drejt një shteti solid për të ndërtuar një Shqipëri sovrane e të barabartë para miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë. E këtë, siç po e demonstron përditë e më tepër, nuk mundet dhe nuk dëshiron ta bëjë klasa aktuale politike.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›