E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo start prej trepikësh, paqe në Peqin

SHKRUAN: Jeton Selimi 27-01-2011 11:01

Kryeqytetasit kanë shënuar tri herë në portën e Ervin Llanit, duke kapitulluar Elbasanin në “Ruzhdi Bizhuta”. Shkumbini nuk arrin të ruajë avantazhin përballë Teutës

E ka filluar si mos më mirë skuadra e Dinamos, pjesën e dytë të kampionatit, teksa ka arritur të marrë maksimumin në Elbasan përballë një kundërshtari që pikët i ka nevojë jetike për të mbijetuar. Në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta”, Elbasani ka pritur kampionët e vendit në fuqi, të cilët në këtë sfidë do të drejtoheshin nga Ilir Daja, që zëvendësoi në dhjetor argjentinasin Luiz Manuel Blanko. Për Dajën, starti ka qenë i mbarë, pasi të tijtë e kanë gjetur tre herë portën e Ervin Llanit, për ta siguruar që në 37-të minutat e para të ndeshjes.

Sfida nis e vrullshme dhe që në shkëmbimet e para të topit vërehet se kampionët kanë ardhur me ide të qarta në kokë. E gjithë Dinamo është e orientuar drejt kuadratit verdheblu dhe, pas disa rastesh, do të jetë Emiljano Vila ai që do të shënojë golin e parë për të tijtë. Esad Karishik, boshnjaku që zëvendësoi Krenar Alimehmetin, e kupton që në këtë moment se dje nuk ishte dita për të kërkuar pikë. Kjo pasi Dinamo është vërtet vullkanike në fushë, ndërsa apatia e Elbasanit ka qenë dominuese, ndonëse verdheblutë kanë përdorur merkaton e janarit për të gjetur “manikotat” e nevojshme për të ndrequr sadopak paraqitjen e tyre të shpërfytyruar në pjesën e parë të sezonit. Pas golit të Vilës, Dinamo ka kërkuar të shënojë sa më shpejt rrjetën e dytë, për të kanalizuar fitoren dhe për të qetësuar kështu pjesën e mbetur të minutave. Në skenë del Elis Bakaj, lojtari më i mirë i bluve dhe i superligës, që në minutën e 37-të dyfishon avantazhin e të tijve dhe në të 57-ën i vë kapak fitores blu. Goli i Bakiut në minutën e 85-të, shërbeu vetëm për statistika dhe mbase për të kuruar sadopak moralin e rënë të verdhebluve. Me këtë fitore prej 3 golash, Dinamo parakalon Tiranën në renditje, kur bardheblutë kanë një ndeshje më pak, me 28 pikë. Kampionët blu e shikojnë veten në vendin e katërt, me dy pikë më shumë se Tirana, skuadër me të cilën do të zhvillojë derbin e kryeqytetit në javën pasuese, konkretisht në javën e 18-të, të hënën e ardhshme

Paqe në Peqin

Ndeshja tjetër, e luajtur këtë të mërkurë, në kuadrin e javës së 17-të të superligës, ka qenë ajo e Peqinit, mes Shkumbinit dhe Teutës. Në të cilën është luftuar fort, ka pasur edhe tension e kartonë të kuq e të verdhë, por të dyja palët kanë ndarë vetëm nga një pikë. Falë barazimit 1-1, të siguruar në pjesën e dytë. Peqinasit kanë mbetur shpejt me 10 lojtarë në fushë, pas daljes me karton të kuq të sulmuesit Mustafaraj, që në minutën e 18-të, çka i ka prishur ekuilibrat e forcave në fushë. Megjithatë, Shkumbini është mbajtur fort dhe e ka mbyllur pjesën e parë me barazim 0-0. Nga ana tjetër, “djemtë e detit”, duke parë se ishin në superioritet numerik në fushë, e kanë spostuar lojën drejt gjysmëfushës peqinase, në kërkim të golit. Por kanë qenë vendësit, ata që e kanë gjetur golin të parët, pikërisht në minutën e 60-të, me anë të Bekim Kulit. Sidoqoftë, gëzimi i vendësve nuk do të zgjaste shumë, për shkak se durrsakët kanë barazuar me anë të Çotës, në minutën e 68-të. Kështu, barazimi 1-1 ndan nga një pikë për të dyja skuadrat, kur Teuta mban vendin e shtatë, me 22 pikë, ndërsa Shkumbini vijon i teti në klasifikim, me 21 pikë.

Superliga - Java 17-të

Rezultatet

Kastrioti – Flamurtari 1-2

Shënues: Babiç 83’/ D.Xhafaj 47’, Lena 88’

Bylis – Laçi 1-2

Shënues: Uashington 28’/ Shazivari 43’, Hysa 53’

Vllaznia – Besa 2-1

Shënues: Djarmati 16’ (aut), Shtubina 73’/ Sefa 92’

Shkumbini – Teuta 1-1

Shënues: Kuli 60’, Çota 68’

Elbasani – Dinamo 1-3

Shënues: Bakiu 85’/ Vila 17’, Bakaj 37’, 57’

03.02.2011

Tirana – Skënderbeu 13:00

Renditja

Skuadra N F B H Gol P

1) Flamurtari 17 12 1 4 27-13 37

2) Skënderbeu 16 10 1 5 26-17 31

3) Vllaznia 17 9 4 4 18-15 31

4) Dinamo 17 8 4 5 27-21 28

5) Tirana 16 7 5 4 25-16 26

6) Laçi 17 7 3 7 20-20 24

7) Teuta 16 6 3 7 18-16 21

8) Shkumbini 16 6 2 8 20-23 20

9) Kastrioti 17 5 5 7 19-25 20

10) Besa 17 3 6 8 13-23 15

11) Bylis 17 4 3 10 20-31 15

12) Elbasani 17 3 3 11 18-31 9

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›