E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vijon turneu i triumfit të Aleancës për Qytetarin

03-05-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha: Zotimi im, katër vitet që vijnë, Lushnja - qytet i zhvilluar
 
Kryeministri Berisha përshëndeti tubimin elektoral me qytetarë të Lushnjes, në vijim të mbështetjes së kandidatëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, për zgjedhjet vendore të 8 majit.
Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha u shpreh: “Ditën e hënë, nis rrugën fitorja, fitorja në Lushnje, fitorja në Mat, fitorja në Tiranë, fitorja në mbarë Shqipërinë.
Qytetare e qytetarë të Lushnjës, ju përshëndes përzemërsisht dhe ju falenderoj me shumë mirënjohje për mbështetjen, për këtë pritje madhështore, me të cilën ju dëshmoni  vullnetin tuaj të hekurt për një fitore të shkëlqyer në 8 maj, të kryetarit tuaj të bashkisë Albert Sanxhaku dhe qytetarëve të tjerë të parë të bashkive e komunave të këtij rrethi. Unë vij këtu për t’ju garantuar se fitoren e zotit Albert Sanxhaku dhe fitoren e zotit Irakli Gorea në Divjakë dhe të kryeqytetarëve tuaj në komuna do ta shndërrojmë në një sukses europian për çdo njërin prej jush, do ta përdorim për të ndërtuar sëbashku me ju rrugët e rrugicat europiane të Lushjnes, Divjakës dhe komunave të këtij rrethi, do ta përdorim për të ndërtuar kopshte e shkolla të standardeve më të mira europiane, në qytet dhe në të gjithë rrethin, do ta përdorim për të krijuar vende pune për lushnjarët, kudo që ndodhen, për të ftuar nga emigracioni bijtë e bijat e Lushnjes, do ta përdorim për të garantuar ujë të pijshëm 24 orë, për të gjithë qytetarët e Lushnjes, në qytet dhe rrethit të Lushnjes, do ta përdorim për të rritur pensionet e rrogat tuaja, për të shpalosur dhuntitë e talentet tuaja të shkëlqyera kulturale dhe sportive.
Qytetare e qytetarë të Lushnjes, shumë prej jush keni pasur rast të dilni e të vizitoni vende të tjera. Edhe unë kam shëtitur shumë vende, por ju garantoj se në kudo, ku kam shkuar nuk kam gjetur, nuk kam gjetur, parë e vizituar ndonjë rreth me pasuri natyrore më të mëdha, se rrethi juaj. Askush nuk ka një fushë më pjellore se Myzeqeja juaj. Askush nuk ka brigje më të bukura, se rrethi juaj. Askund nuk ka kodra më të bukura e më të mira, se rrethi juaj. Askund njerëzit nuk janë zotër të punës, djersës e mundit,  sesa ju, myzeqarët.
Por ne, diktatura dhe paudhësi të tjera na mbajtën larg Europës, na mbajtën larg pasurive tona. Sot, ne jemi të vendosur çdo ditë, çdo javë, çdo muaj e çdo vit të shndërrojmë pasuritë e pafundme të Lushjes dhe Shqipërisë në vlera për ju, qytetarët e Lushnjes, në vlera për shqiptarët. Ne jemi të vendosur me mundin, djersën, përkushtimin dhe vizionin tonë, të ndërtojmë në Lushnje Europën më të bukur, më të mëkëmbur, Europën e njerëzve punëtorë, Europën e njerëzve dinjitozë, Europën e njerëzve të lirë.
Vëllezër e motra, zotimi im për ju është, katër vitet që vijnë, Lushnja - qytet i zhvilluar, Shqipëria  - vend i zhvilluar. Këto 20 vite, me lumenj djerse, sakrificash dhe mundi, ne ngritëm Shqipërinë e falimentuar në Shqipërinë që kryeson rritjen ekonomike në Europë. Këto 20 vite, në rrugën e lirisë, ne anëtarësuam vendin në NATO,  lëvizim të lirë në mbarë Europën, dyfishuam rrogat e pensionet. Ne ringritëm fuqishëm sistemin arsimor. Lushnjen do ta shndërrojmë në Lushnjen universitare, Lushnjen turistike, Lushnjen e kulturës, Lushnjen e fermave më të zhvilluara të rajonit. Kjo rrugë nuk është e lehtë, nuk është pa mund, por ajo është rrugë e sigurt, është rrugë nderi, dinjiteti, suksesi, për të cilën, ne do të ndjehemi krenarë gjithmonë. Ndaj ju garantoj se çdo votë për “Aleancën për qytetarin” do të jetë votë për rrugë e rrugica të standardeve europiane që ju meritoni, për shkolla, spitale, e shërbime të standardeve europiane siç ju i meritoni, për ferma të standardeve më të mira, për turizëm të nivelit më të shkëlqyer. Ju garantoj se katër vitet që vijnë, investimet në këtë rreth do të shumëfishohen, krahasuar me katër vitet që shkuan. Kjo është alternativa, në të cilën ju, qytetarë të Lushnjes dhe mbarë Shqipërisë, jeni në epiqendër të saj. Ju jeni arkitektët e vërtetë të saj. Ju jeni ndërtuesit e vërtetë të saj. Dhe kjo alternativë ka vend për çdo lushnjare e lushnjar, për çdo myzeqare e myzeqar. Ndaj ju ftojmë të gjithëve të bashkohemi në 8 maj, në fitoren tonë të merituar. Alternativa tjetër është alternativa e të vetmes rrugë. Të dashur të reja e të rinj, ju nuk e dini se çfarë ka qenë ajo. Pyesni baballarët e gjyshërit tuaj, do t’ju rrëfejnë se e vetmja rrugë ishte slogani që përsëritej në çdo faqe, në çdo shkrim, në çdo emision, në çdo gazetë dhjetëra e qindra herë në ditë nga diktatori Enver Hoxha. Le t’ia lëmë nostalgjikëve të tij, rrugën e vetme. Ne të ndjekim rrugë që na bashkojnë me njëri-tjetrin, të ndjekim përpjekjen tonë të përbashkët për Lushnjen europiane, për Shqipërinë europiane. Alternativa jonë bazohet në projekte, bazohet në fonde dhe financime, bazohet në mund e djersë, por alterantiva jonë, para së gjithash, bazohet në vlera morale të qytetarëve të lirë, bazohet në besimin e qytetarëve tek vetja, tek njëri-tjetri, tek familja, tek vendi. Për ne, ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parat, Lushnja është e para. Rrofshi ju! Rroftë Lushnja! Rroftë Shqipëria! Fitore!”

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›