Andrea Pirlo kritikon taktikën e Donadonit
Mesfushori i Italisë, Andrea Pirlo, ka kritikuar zgjedhjet taktike të trajnerit Roberto Donadoni në sfidën ku kampionët e botës u gjunjëzuan përballë "tulipanëve" të Van Basten. "Axurrët" ishin protagonistë të një pjese të parë të tmerrshme: të pasigurt në mbrojtje, të pafuqishëm në mesfushë dhe pak deciziv në aksionet ofensive. Pjesa më e madhe e opinionit sportiv është pozicionuar kundër teknikut "axurr" për faktin që aktivizoi si titullar Ambrozinin, duke lënë gjatë gjithë ndeshjes në stol Daniele de Rosin. Edhe Pirlo beson se me lojtarin e Romës në fushë, ai mund të kishte bërë diçka më shumë. "E filluam shumë keq lojën. Nuk ishte synimi ynë të luanim në atë mënyrë, por kjo ishte një nga ato ditët "jo", tha fantazisti i Milanit. Kemi edhe dy ndeshje dhe duhet t‘i fitojmë. Megjithatë, nëse De Rosi do të kishte luajtur, besoj se do të kisha mundësi të bëja diçka më shumë. Por, në skuadër janë 23 lojtarë dhe vendimet i merr trajneri".