Kuhn, tre turq në fushë për takimin me Turqinë
Ndeshja e sotme mes Zvicrës dhe Turqisë do të jetë vendimtare për vendin organizator që kërkon me çdo kusht të sigurojë fitoren e parë në fazën finale të një Kampionati Evropian. Trajneri Kubi Kuhn duket se do t‘i besojë një vend në formacion të tre futbollistëve me origjinë turke që ka në përbërjen e skuadrës. Gokhan Inler, Hakan Jakin dhe Eren Derdiok kanë të gjithë pasaportë turke dhe zvicerane, por sot do të provojnë të eliminojnë vendlindjen e tyre nga ky turne. "Është ndeshje e veçantë, pasi familja ime është nga Turqia. Mamaja është shumë e tensionuar, pasi këto dy kombëtare vihen përballë njëra-tjetrës, por ajo ka thënë gjithmonë se do të mbështesë skuadrën në të cilën luajnë djemtë e saj", shpjegoi Hakan Jakin. Ndonëse ka luajtur 67 ndeshje me fanellën e Zvicrës, kjo është hera e parë kur Jakin do të përballet me Turqinë.