E Shtunë, 31 Tetor 2026

UEFA: Van Nistelroi shënoi në pozicion të rregullt

UEFA ka ndërhyrë dje për të sqaruar momentin e shënimit të golit të avantazhit të Holandës në ndeshjen kundër Italisë. Van Nistelroi shënoi për "tulipanët" në minutën e 26-të, ndërsa vendimi i gjyqtarit Frojfeldt për ta cilësuar të rregullt pozicionin e sulmuesit shkaktoi reagime të shumta mes italianëve, të cilët pretendonin për pozicion jashtë loje. Por Sekretari i Përgjithshëm i UEFA-s, Devid Tejlor, sqaroi se treshja e gjyqtarëve kishte aplikuar në mënyrën e duhur rregulloren e lojës për raste të tilla.

"Unë dua të sqaroj dhe të theksoj se goli u akordua në mënyrë korrekte nga gjyqtarët e ndeshjes. Mendoj se ka një mungesë të theksuar diturie për këtë rast mes publikut të gjerë, por është më se e kuptueshme pasi ishte një rast jo i zakonshëm. Lojtari nuk ishte në pozicion jashtë loje, pasi përveç portierit italian, ishte edhe një futbollist tjetër para golashënuesit. Ndonëse lojtari tjetër italian gjatë kësaj kohë kishte dalë nga fusha e lojës, pozicioni i tij vazhdonte të ishte i vlefshëm për të përcaktuar pozicionin jashtë loje", deklaroi Tejlor. Ai shpjegoi se në rregulloren e lojës, neni 11 që trajton pozicionin jashtë loje, shkruhet qartësisht se një lojtar cilësohet në pozicion të parregullt kur gjendet më afër vijës së portës kundërshtare sesa topi dhe dy mbrojtës kundërshtarë. "Duhet të jenë dy mbrojtës të përfshirë. Nëse ju kujtohet situata, i pari është portieri dhe i dyti është mbrojtësi, i cili, për shkak të aksionit, ishte jashtë vijës së fushës. Por ky lojtar cilësohej ende si pjesë e lojës. Si rrjedhojë, ai merret në konsideratë si një prej dy kundërshtarëve që mbajnë në pozicion të rregullt sulmuesin e Holandës. Van Nistelroi nuk ishte më pranë vijës së portës se dy kundërshtarë të tij, ndaj nuk mund të cilësohet në pozicion jashtë loje. Ky interpretim i pozicionit jashtë loje është i njohur mes gjyqtarëve, por jo nga publiku i gjerë i futbollit. Incidente të tilla janë shumë të rralla. Ndaj duhet të jemi të qartë se gjyqtarët e aplikuan në mënyrë të rregullt këtë nen. Nëse nuk do ta kishim vendosur këtë interpretim edhe për rastin kur lojtari gjendet jashtë fushës së lojës, atëherë skuadrat mund ta përdorin si taktikë që mbrojtësi të dalë nga fusha për të zënë në pozicion jashtë loje sulmuesin kundërshtar. Interpretimi më i thjeshtë dhe praktik i këtij rregulli shihet edhe në faktin se një lojtar cilësohet pjesë e lojës deri në momentin kur ka marrë lejen nga gjyqtari për të lënë fushën e lojës. Kjo është arsyeja kryesore pse lojtari italian cilësohet si aktiv, pasi vazhdonte të ishte pjesë e lojës dhe sulmuesi që futi topin në rrjetë ishte në pozicion të rregullt", shpjegoi Dejvid Tejlor.

Vetë futbollistët e Italisë, pas përfundimit të ndeshjes, kanë shpjeguar se gjyqtari i katërt ua ka shpjeguar menjëherë vendimin e kryesorit Frojfeldt dhe asistentit të tij. Del Piero ka treguar se si ai kishte qetësuar futbollistët që ishin ulur në stolin e rezervave. "Gjyqtari i katërt na e shpjegoi menjëherë situatën, por ne pamë Panuçin të shtrirë dhe ishte e natyrshme që të protestonim ndaj këtij vendimi. Por ai na tha se Panuçi cilësohej në pozicion aktiv", shpjegoi Del Piero. Megjithatë, italianët janë shqetësuar edhe gjatë përsëritjes së vazhdueshme të këtij rasti në ekranet gjigande të vendosura në stadium. Ish-futbollisti Demetrio Albertini ka treguar se një gjë e tillë ka nervozuar lojtarët, të cilët vazhdonin të mendonin se Van Nistelroi ishte në pozicion jashtë loje. "Në rastin e golit të parë, gjëja që irritoi më shumë lojtarët ishte të shihnin përsëritjet e aksionit tek ekranet gjigante të stadiumit, gjë që acaroi situatën dhe ndikoi edhe gjyqtarin. Luka Toni mori karton të verdhë, ndërsa tregonte me gisht ekranin dhe ne e dimë që një gjë e tillë mund të ketë pasoja gjatë të gjithë turneut", shpjegoi Albertini.

Del Piero ka treguar se gjyqtari i katërt ua kishte shpjeguar menjëherë vendimin e marrë nga kryesori Frojfeldt për pozicionin e Van Nistelroit



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›