Italia dhe Franca, kampion edhe në zhgënjime
Ai që pagëzohej "grupi i ferrit", në prag të Evropianit, ka ngjallur shumë dyshime pas ndeshjeve të para. Kampionët e Botës, Italia dhe nënkampionia Franca, nuk mund të zhgënjenin më shumë qysh në 90 minutat e para. Një humbje me 3 gola për ekipin e Donadonit ka nxitur një krahasim për shtypin italian: kur nisemi me halle, si në Botërorin e kaluar, në fund jemi kampionët e botës. Ndërsa kur "axurrët" e fillojnë Evropianin si më të fortët e botës, deluzioni është i frikshëm. Kurse për francezët barazimi 0-0 me Rumaninë ka pasur vetëm një person, që në fund të ndeshjes duartrokiste, trajneri Domenek. "L‘Equipe" komenton me nota pesimizmi: "Pse duhet të shpresojmë te mrekullia e Botërorit të kaluar kur ‘gjelat‘ në grup më shumë vuanin se sa luanin?!". Evropiani që ka koston më të lartë ekonomike në krahasim me kompeticionet e kaluara, para se të shijonim Holandën, u shfaq i varfër në planin e lojës. Edhe Donadoni që është turpëruar nga ish-shoku i tij i ekipit te Milani, Van Basteni, gjen forca për të justifikuar humbjen më injoruese të nacionales italiane në 10 vitet e fundit: "Jo kjo nuk është ndeshja më e keqe e Italisë. Ndofta rëndon më shumë sepse jemi kampionë të botës. Kemi qenë edhe të pafat". Një shprehje që të kujton komentet e shtypit grek, kur kampionia e Evropës, Greqia, e spërkati me turp kurorën qysh në ndeshjen e parë në Tiranë: "E dinim që do të ndodhte një ditë, por jo me Shqipërinë". Kurse për italianët që janë zgjuar me dhimbje koke, ka një arsyetim mbrojtës: kanë humbur me një Holandë të fortë, e cila ka rilindur shpresën e lavdisë së dikurshme. Janë mjegulluar edhe kritikat e të madhit Johan Krujf, që predikonte se ekipi i Van Bastenit nuk krijon hapësira kur sulmon. Kujtoni stilin impresionues të mesfushorëve Shnajder dhe Van der Vart, për të cilët Franca dhe Rumania kanë shumë arsye të shqetësohet. I vetmi italian që nuk flet për golin e dyshimtë të Van Nisterloit apo për pafatësinë e tyre në sulm, është portieri Bufon: "Duhet t‘i kërkojmë falje të gjithë italianëve. Nuk mbaj mend ndeshje më të keqe në vitet e fundit". Por Xhixhi nuk mund të thotë dot publikisht se dëmtimi i Kanavaros e ka shndërruar në aventurë lojën e italianëve në mbrojtje. Priten ndryshime të mëdha në ndeshjen e dytë me Rumaninë, por edhe sikur në qendër të mos jenë Barzali e Materaci, frika shkon edhe më tej se reparti i mbrojtjes. Edhe në Francë nuk besojnë më se sulmi është "Thembra e Akilit" edhe pse Domenek në dy ndërrimet e para largoi nga fusha Benzema dhe Anelka. Astrologu që drejton "gjelat" është njeriu më i përshtatshëm për të rikthyer gijotinën. Sidomos kur kujton se në shtëpi ka mbetur një sulmues luksi si Trezege dhe një mesfushor vitrine si Flamini. Ja një koment nga shtypi francez: "Do të dëshironim që në fushë të ishte Henri edhe sikur të luante me një këmbë ose të paktën t‘i dërgojmë një telegram Trezeges".