E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anelka: Refuzova 5 penalltitë e para

Nikolas Anelka do të kujtohet gjatë nga tifozët e Çelsit, jo për atë që ka dhënë në fushën e lojës, por vetëm për faktin se humbi penalltinë vendimtare ndaj Mançester Junajtid në finalen e Ligës së Kampioneve. Por sulmuesi francez ka bërë të ditur se kishte refuzuar të gjuante penalltitë e mëparshme, pasi kishte qenë i pakënaqur me aktivizimin e vonshëm të tij, në një rol që nuk i përshtatet. Ai nuk ka kursyer kritikat ndaj stafit teknik, ndërsa ka bërë të qartë se nuk do të pranojë të luajë në role të tjera përveç atë të qendërsulmuesit në sezonin e ardhshëm.

Sulmuesi francez u transferua nga Boltoni gjatë janarit, pasi Çelsi pagoi 15 milionë sterlina, por që nga ajo periudhë ka kaluar pjesën më të madhe të sezonit në pankinë ose duke luajtur rolin e mesfushorit të avancuar në krah. Në finalen kundër Mançesterit, ai u aktivizua vetëm në 10 minutat e fundit të kohëve shtesë, ndërsa gjuajtja e tij nga pika e bardhë e 11-metërshit u neutralizua nga Edvin Van Der Sar. Por Anelka mendon se një situatë e tillë nuk do të përsëritet në sezonin e ardhshëm, ku ai do të pretendojë të luajë vetëm në rolin e tij natyral. "Unë nuk erdha këtu të luaj në krahun e djathtë apo të majtë", deklaroi ai për gazetën franceze "L‘Equipe" që e kishte intervistuar rreth finales. "Kur unë erdha te Çelsi, ata më thanë se do të luaja në një sistem 4-4-2. Në Angli nuk kam më nevojë të provoj se jam më i mirë kur luaj në qendër. Por që në janar nuk kam luajtur në pozicionin tim. Asnjëherë si numri 9, gjithmonë në krahun e majtë apo të djathtë. Deri tani, unë nuk kam thënë asgjë. Unë isha një futbollist i ri dhe nuk doja të krijoja probleme, pasi nuk e njihja ende mirë klubin. Por duke filluar nga sezoni i ardhshëm, unë do të insistoj që të mos trajtohem më si lojtari i ri", u shpreh Anelka.

Francezi më pas ka kritikuar stafin teknik të Çelsit që e hodhi atë në fushën e lojës gjatë minutave të fundit të finales, duke mos i dhënë kohë as të kryente nxemjen para aktivizimit. "As që e mendoja se do të aktivizohesha. Ndenja në stolin e rezervave për 110 minuta dhe papritur më kërkuan të luaja, ndonëse nuk kishte kaluar as një minutë që nga momenti që isha çuar për nxemje. Unë nuk e di nëse ka ndodhur ndonjëherë në një finale të Ligës së Kampioneve, në një takim të këtij intensiteti, që një lojtar të hyjë në fushën e lojës pa kryer nxemjen e nevojshme. Në ndeshje të tilla, kur futesh në fushë duhet të jesh i gatshëm të vraposh", u shpreh ai për gazetën franceze.

Më pas, Anelka ka treguar se si kishte refuzuar për këtë arsye të ishte mes 5 gjuajtësve të parë të 11-metërshave, ndonëse më pas humbi penalltinë decizive që u prit nga Van Der Sar. "Mua më kërkuan që të gjuaja një nga 5 penalltitë e para. Por unë i thashë ‘Kjo as që diskutohet. Unë jam aktivizuar praktikisht si një mbrojtës i djathtë dhe ju dëshironi që të gjuaj një penallti‘. Më pas m‘u desh të gjuaja penalltinë e 7-të, por Van Der Sar e grushtoi atë. Ai fitoi, por kështu e ka kjo lojë", deklaroi Anelka që me sa duket nuk e ndien aspak mbi vete përgjegjësinë për humbjen në finalen e Ligës së Kampioneve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›