E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Pango: Kemi 15-fishuar shpërblimet për sportistët elitarë

Shpërblimet e sportistëve elitarë në Shqipëri janë 15-fishuar në krahasim me shumat që ata merrnin tre vjet më parë, pra në vitin 2005. Ky është raporti që ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, ka paraqitur përpara mediave. Sipas tij, të gjithë ata sportistë që kanë regjistruar rezultate të larta janë shpërblyer ashtu sikurse nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë dhe kjo falë Vendimit të Këshillit të Ministrave (VKM), numër 305, të përcaktuar më 24 maj 2006 bazuar në "kriteret e përcaktimit të lartë sportiv dhe mënyrën e shpërblimit të sportistëve". Vetëm pak ditë më parë, KM akordoi shpërblimet për pesë sportistë: 6 milionë lekë të reja për mundësin Sahit Prizreni (i treti në Kampionatin Botëror), 5 milionë për qitësen Lindita Kodra (kampione e Evropës), 2 milionë lekë për peshëngritësin Erkand Qerimaj (i dyti në dygarësh në Botërorin për të rinj), 1 milion për peshëngritësin Gerti Trasha (i katërti në Botërorin për të rinj) dhe 500 mijë lekë për peshëngritësin tjetër Taulant Çerepi (i gjashti në Botërorin për të rinj). Edhe trajnerët janë shpërblyer me 30 për qind të shumës së përfituar nga sportistët, ndërkohë që fatura totale është 18 milionë e 450 mijë lekë të reja. "Shpërblimet e sportistëve elitarë në vend, aktualisht janë më të larta se në disa shtete më të zhvilluara në kontinent dhe mund të them se që prej vitit 2005 ato janë 15-fishuar", tha Pango. Me 6 të kualifikuar, 2 që presin konfirmim dhe 3 që do të marrin pjesë me ftesë, Shqipëria mund të përfaqësohet në Lojërat Olimpike "Pekin 2008" me 11 sportistë: një rekord absolut për delegacionin kuqezi. Numri 1 i sportit në vend, theksoi se të gjithë këta sportistë pjesëmarrës në evenimentin që do të zhvillohet në Kinë do të trajtohen në mënyrë të veçantë nga shteti nga pikëpamja financiare.

Sportistet e Pekin 2008

Te kualifikuar: Lindita Kodra (Qitje), Sahit Prizreni dhe Elis Guri (Mundje), Erkand Qerimaj dhe Gerti Trasha (Peshëngritje), Dorian Çollaku (Hedhje çekiçi)

Presin konfirmimin: Romela Begaj (Peshëngritje), Klodiana Shala (Atletikë)

Pjesëmarrje me ftesa: Sidni Hoxha dhe Rovena Marku (Notarë), Edmond Topalli (Xhudo)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›