Barcelona përcakton dhjetë objektivat e merkatos së verës
E përditshmja spanjolle, "Sport", e cila njihet si pro-Barcelonës, bëri të ditur se stafi teknik dhe ai i trajnerëve kanë përpiluar dhjetë objektivat për merkaton e verës. Në shkrimin e publikuar pretendohej se tre prej tyre janë afrime pothuajse të sigurta: Xherard Pike, Daniel Alvesh dhe Sejdu Keita. Pikë, që aktualisht militon me Mançester Junajted, do të rikthehet në shtëpinë e tij në Katalonjë, për katër vitet e ardhshme, ndërsa kostoja e transferimit mendohet të realizohet për afro 5 milionë euro. Për Alvesh dhe Keita, të dy pjesë e kontingjentit të Seviljas, transferimi mund të jetë disi më i vështirë, por në "Kamp Nou" janë të bindur se klubi andaluz nuk do ta refuzojë ofertën e përbashkët, prej 40 milionë eurosh. Nga afrimet e parashikuara, ai i Fabricio Koloçinit mund të jetë më i thjeshti për t‘u realizuar: Deportivo La Korunjës i nevojiten para dhe klubi galician mendon të shesë një prej lojtarëve kryesorë. Ndërkohë, edhe mbrojtësi ka thënë se është shumë i intriguar nga një aventurë me "blaugranat". Tjetër objektiv në merkato është bjellorusi Aleksandër Hleb. Mesfushori duket pranë largimit nga Arsenali, por synimi i "topçinjve" për ta mbajtur mund të zbehet nga oferta e Barçës. Nëse këto pesë blerje do të realizohen, atëherë Pep Guardiola do të ketë dy mbrojtës qendre, një mbrojtës të djathtë, një mesfushor qendre dhe një mesfushor krahu. Sipas "Sport", kjo lë hapësira që në ekip të afrohen edhe një mesfushor i majtë (për të zëvendësuar Ronaldinjon) dhe një sulmues (për të mbushur boshllëkun që mund të lejë largimi i Samuel Eto‘o). Për krahun e majtë të mesfushës pëlqehen David Silva i Valencias dhe Florent Maluda i Çelsit. Ky i fundit është preferenca e parë, por gjithçka varet nga londinezët dhe synimi i tyre për të blerë Robinjon. Për sulmin, ëndrra është talenti i Lionit, Karim Benzema, por që kushton shumë shtrenjtë. Alternativat e tjera janë Emanuel Adebajor (Arsenal) dhe Dimitar Berbatov (Totenhem). Gjithsesi, për momentin, në "Kamp Nou" gjithçka është e qetë.