E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anemia te të sëmurët me veshka, shtohen rastet

11/05/2009  Mjekët nefrologë prezantojnë trajtimin që ul kostot e mjekimit

Më shumë pacientë që vuajnë nga sëmundjet kronike të veshkave preken nga anemia. Një faktor që shton problemet për jetëgjatësinë e pacientëve si dhe kostot e trajtimit të tyre. Mjekët specialistë pranë klinikës së nefrologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” bëjnë të ditur se numri i pacientëve që identifikohen çdo vit me dëmtime të ndryshme të veshkave është rreth 450, nga të cilët 50 kërkojnë trajtim special për aneminë. Gjatë një takimi, organizuar nga Shoqata e Nefrologjisë dhe Hoffman La-Roche, me pjesëmarrjen e zëvendësministrit të Shëndetësisë, Arben Ivanaj, prof. Nestor Thereska, prof. Myftar Barbullushi dhe prof. Sulejman Kodra, u prezantua trajtimi i ri Mircera, që ndihmon pikërisht këta pacientë.

Kostot

Sëmundja kronike e veshkave, sipas mjekëve nefrologë, karakterizohet nga humbja graduale dhe permanente e funksionit të veshkave që vjen duke u përkeqësuar nga grada e parë deri në të pestë. Në stadin e pestë pacientët kanë nevojë për procedurat e dializës ku funksionin e veshkave e zëvendësojnë aparaturat përkatëse, ose për transplant të veshkave. Mosfunksionimi i veshkave ka sjellë një kosto në rritje nga viti në vit për ekonomitë e vendeve të ndryshme të botës. Aktualisht, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në të gjithë botën janë rreth 1,5 milionë pacientë që mbahen në jetë me anë të dializës apo transplantim. Por fatkeqësisht, ekspertë të OBSH-së parashikojnë që kjo shifër të dyfishohet brenda dhjetë viteve të ardhshme. “Kostoja globale për dializën dhe transplantin parashikohet të tejkalojë 1 milion dollarë brenda dekadës së ardhshme. Nëse nuk trajtohen në kohë sëmundjet kronike të veshkave problemet që lindin janë të përmasave tepër të rënda”, - theksojnë mjekët.

Trajtimi

Prezenca e vazhdueshme e anemisë te këta pacientë shkakton lodhje dhe këputje. “Anemia kontribuon në zhvillimin e sëmundjeve progresive kardiovaskulare që sjell një rritje të shtrimeve për pacientët me sëmundje kronike të veshkave e reflektuar në shtim të kostove të trajtimit, si dhe rritje të vdekshmërisë. Në vendin tonë, incidenca e pacientëve që kërkojnë këtë trajtim, mircerën, është mesatarisht, 50 raste në vit, duke pasur parasysh 450 raste në vit që identifikohen pranë klinikës së nefrologjisë”, - theksuan nefrologët në këtë takim.

Shifrat

Më shumë se 500 milionë njerëz në botë ose 10 për qind e popullatës së rritur vuajnë nga ndonjë formë dëmtimi e veshkave. Ndërsa, 90 për qind e atyre që vuajnë nga sëmundjet kronike të veshkave mbeten të paidentifikuar. Në vendin tonë qendrat e dializës janë të vendosura në katër qytete Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Gjirokastër.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›