E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca miraton borxhin 370 milionë euro

Debate në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, opozita braktis seancën. Kreditë janë marrë me interes të lartë


TIRANË- Komisioni Parlamentar i Ekonomisë kaloi dje për miratim në Kuvend, në mënyrë të përshpejtuar dhe pa praninë e deputetëve të opozitës, një borxh me vlerë 370 milionë euro që qeveria do të marrë në tregun ndërkombëtar për financimin e një sërë investimesh në vend.


Pjesë e këtij borxhi është shuma 250 milionë euro, të cilat do të investohen në rrugën Durrës-Kukës dhe kredia 60 milionë euro, me anë të së cilës do të garantohet respektimi i marrëveshjes së shitjes së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes tek kompania CEZ.


Duke dhënë alarmin për një rritje të ndjeshme të borxhit, kohët e fundit, deputeti Erjon Braçe theksoi se, me marrjen e këtyre kredive, qeveria po shkel edhe ligjin për buxhetin e vitit 2009, i cili, sipas tij, nuk lejon që borxhi të jetë më shumë se 410 milionë dollarë.


"Në ligjin e buxhetit të shtetit, Parlamenti ka autorizuar qeverinë që, për gjithë vitin 2009, borxhi të jetë jo më shumë se 410 milionë dollarë, për të qëndruar brenda deficitit prej 4.1 për qind, ndërsa vetëm sot po marrim 496 milionë dollarë hua dhe kjo shumë i tejkalon limitet e përcaktuara.


Shqiptarët duhet ta dinë që ky është një borxh i konsiderueshëm dhe norma e interesit për kredinë 250 milionë euro arrin deri në 15 për qind. Vetëm për këtë kredi, shqiptarët do të paguajnë minimalisht 45.6 milionë euro interesa", - u shpreh Braçe.


Vetë kryetari i komisionit, Edmond Spaho, u shpreh se marrja e kredive është e nevojshme për të mbajtur të njëjtin nivel rritjeje ekonomike për vendin në këtë kohë krize.


"Këto kredi janë brenda limitit të deficitit buxhetor, deri në 4.5 për qind që kemi miratuar për vitin 2009 dhe nuk është e vërtete që jemi duke kaluar limitet e përcaktuara në ligj", - u shpreh ai. Më pas, socialistët braktisën mbledhjen, duke shprehur indinjatën për normat e larta të interesit, që, sipas tyre, duhet të paguajnë shqiptarët për të shlyer borxhet që po merre qeveria në muajt e fundit të mandatit.


Marrëveshjet e djeshme pritet të miratohen gjatë seancës së fundit të kësaj legjislature që do të zhvillohet ditën e hënë, më datë 11 maj. Krahas rrugës Durrës-Kukës dhe garantimit të kontratës së shitjes së OSSH-së, një pjesë e parave të përfituara nga kreditë parashikohet të përdoren edhe për të financuar ndërtimin e rrjetit të rrugëve dytësore rurale.


Pjesë e kredive të miratuar dje, është edhe ajo prej 250 milionë euro që shteti shqiptar do të marrë në tregun ndërkombëtare për të financuar rrugën Durrës- Kukës.


Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për kredinë në fjalë, ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi se norma e interesit të saj do të jetë 9.65 për qind plus normën e interesit të Euribor-it. Ndërkohë, nuk dihet nëse për këtë kredi është marrë për bazë norma aktuale e interesit të Euribor-it apo ajo vjetore.


Për momentin, ky tregues është në shifrat e 1.7 për qind, duke bërë që norma e interesit të 250 milionë eurove kredi të jetë 11.3 për qind. Treguesi prej 1.7 për qind i Euribor-it, konsiderohet i ulët nga specialistët, për shkak të krizës financiare që po kalojnë vendet e Bashkimit Evropian, ndërkohë që ata parashikojnë një rritje të tij, kur ekonomitë e këtyre vendeve të rigjallërohen, duke e çuar deri në 15 për qind normën e interesit që duhet të paguajë qeveria shqiptare për të shlyer këstet e kredisë.



Shifra
370 milionë euro, totali i marrëveshjeve të kredive

250 milionë euro do të përdoren për rrugën Durrës-Kukës

60 milionë euro do të merren për të siguruar kontratën e shitjes së OSSH-së

11.3 për qind, interesi minimal i kredisë për rrugën Durrës-Kukës

15 për qind, maksimumi i normës së interesit të kredisë për rrugën Durrës- Kukës



Gazi, 101 subjekte kërcënojnë jetën e qytetarëve

Aksioni i Ministrisë së Ekonomisë pritet të mbyllë një serë stacionesh gazi, të rrezikshëm për jetën qytetarëve


TIRANË-Qytetarët e qendrave më të mëdha urbane në vend, jetojnë çdo ditë nën rrezikun që paraqesin pikat e tregtimit të gazit dhe karburanteve që nuk përmbushin kushtet minimale të sigurisë teknike.


Vetëm në katër qarqe të vendit, si ai i Tiranës, Durrësit, Fierit dhe Shkodrës, strukturat në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, gjatë aksionit të tyre të nisur disa javë më parë, kanë bllokuar ose cilësuar si shumë të rrezikshme për jetën e qytetarëve, plot 101 subjekte të tregtimit të gazit dhe të nënprodukteve të tjera të naftës.


Në listën e subjekteve që janë cilësuar si jashtë standardeve teknike, përfshihen stacione të tregtimit dhe të mbushjes së bombulave të gazit, pika karburanti, autogaze, etj.


Sipas zëvendësministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Neritan Alibali, vetëm në Tiranë janë bllokuar 26 pika të mbushjes dhe të tregtimit të bombulave të gazit, të cilat nuk përmbushnin kriteret minimale të sigurisë teknike.


Gjithashtu, në vazhdën e një aksioni të dytë, Alibali theksoi se janë piketuar dhe se do të ndërhyhet në 10 autogaze dhe 20 stacione karburanti, të cilat janë klasifikuar si të rrezikshme dhe pa autorizimet përkatëse. Dita e djeshme shënoi edhe fillimin e aksionit të ndërhyrjes në pikat e tjera të rrezikshme që janë hasur në qarqet Shkodër, Durrës e Fier.


Ministria e Ekonomisë, fton të gjithë qytetarët që të njoftojnë menjëherë strukturat e mbrojtjes kundër zjarrit, sapo të identifikojnë veprimtari të tilla të paligjshme pranë qendrave të tyre të banimit.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›