E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protestë-shkretëtirë dje në bulevard, të pranishmit e vetëm ishin punonjësit e Bashkisë

As dita e djeshme s’ka shkuar ashtu siç duhet për kryesocialistin në detyrë, Edvin Kristaq Rama, pasi një protestë e pretenduar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, është zhvilluar në vetmi, vetëm me punonjësit e administratës së baskisë së Tiranës.
Pseudo-protestat, të cilat së paku nuk janë një gjë e re, për Partinë Socialiste dhe kryetarin e saj, shënuan dje një moment kyç në kalvarin e dështimit politik të ylberistit.
Marrja me dhunë e punonjësve të bashkisë dhe të disa njësive minibashkiake të drejtuara nga opozita, nuk arriti kurrsesi të kthejë entuziazmin dhe ngazëllimin në radhët e ylberistëve të stacionuar në çadrat e bulevardit.
Pas fjalimeve një e nga një nga podiumi i ngritur pranë grevistëve, folën me radhë deputetët Vangjush Dako, Gazmir Bizhga, Vasilika Hysi, Eduart Shalsi për të vazhduar më pas me Spartak Ngjelën dhe fund me Edvin Ramën, grevistët u detyruan të ngujohen përsëri në burgun e çadrave, duke mos i dhënë askujt mundësi sabotimi të protestës dhe grevës, pas precedentëve të dy ditëve më parë me Arben Malajn dhe plot 40 grevistë të tjerë.
Të çuditshme në fakt u dukën deklaratat e Spartak Ngjelës, i cili si përherë edhe këtë radhë u shpreh për një kryengritje imagjinare, duke folur jo më për 14 majin, të cilin pak ditë më parë e simbolizoi si ditën e “ndryshimit të madh”, por për ditë të tëra, të cilat në memorien e tij ishin të paqarta dhe pa asnjë verdikt final. Në këtë zallamahi mendimi të skarcuar, ylberistët mbyllën një tjetër palo-protestë, por këtë radhë dëshpërimi ka të tjerë kufij, teksa asnjë simpatizant, asnjë socialist nuk ndodhej i pranishëm në mbrojtje të kauzës lakuriqe të Edvinit dhe Gramozit.
Dhe kjo për një arsye shumë të thjeshtë dhe njëherazi të kuptueshme...Shqiptarët janë më shumë se kurrë të mirë informuar për qëllimet ogurzeza të tendencave protestuese të Edi Ramës dhe klanit ndjekës.
Shqiptarët janë të vetëdijshëm për planet e fshehta që vazhdojnë të maskohen poshtë çadrave të të ashtuquajturve ‘greviste’. Dhe kësisoj, braktisja, demaskimi dhe injorimi i kauzës opozitare, është metoda më e mirë, për të zbehur një rrezik në rritje për shoqërinë shqiptare dhe të ardhmen e saj të denjë evropiane. Endja pas një çështjeje që është finalizuar afro këtu e një vit më parë, sigurisht që nuk ka interpretim tjetër, veçse shpalljen e një rreziku permanent nga bllokmenët e rinj, të cilët me sa duket po tentojnë të kryejnë shpagimin etërve të tyre.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›