E Diel, 1 Nëntor 2026

Aneta Rama: Dua prokuror kundër Berishës

13/04/2010 Gjykata rrëzon kërkesën e avokatit Salati, Kryeministri me imunitet s’mund të ketë prokuror

Debate për padinë civile brenda padisë penale. Deklarohet moskompetenca

TIRANË- Gjykata e Lartë ka rrëzuar padinë civile për shpifje të nënës së kreut të Partisë Socialiste kundër Sali Berishës. Në seancën e djeshme gjyqësore është vendosur që kërkesa për dëmshpërblim dëmi moral nuk është në kompetencën lëndore të kësaj gjykate, por i përket gjykatës së Tiranës. Nga ana e trupit gjykues është arsyetuar se përmbajtja e kësaj padie civile mund të shqyrtohet vetëm nga ana e Gjykatës Civile. Aneta Rama e shoqëruar nga avokati i saj mbrojtës, Arjan Salti, për më shumë se katër orë ishte pjesë e debatit për nisjen e hetimit gjyqësor kundër Kryeministrit. Me gjithë pretendimet e palëve, kryesuesja e kolegjit vendosi të urdhërojë palët për të sjellë sa më shumë prova në datë 4 maj kur është seanca e radhës. Ndërkohë që pretendimet e palëve ishin të shumta. Nga njëra anë, Aneta Rama nuk “ulet”, dhe kërkon vazhdimin e hetimit për Kryeministrin Sali Berisha, të cilin e ka paditur për shpifje publike. Nëpërmjet avokatit Salati ajo i kërkoi gjykatës që në proces të përfshihet edhe një prokuror. Por kjo është kundërshtuar nga avokatja e Sali Berishës, Erinda Ballanca. Ajo tha se procesi është në fazat e para të hetimit paraprak dhe në këto kushte nuk është e domosdoshme prania e një prokurori. Sipas saj, kjo fazë tashmë ka kaluar. Debatin mes palëve kundërshtare e mbylli trupi gjykues me vendimin e tij. Sinoimeri u shpreh se nuk është e nevojshme marrja e një prokurori, pasi i padituri dhe i akuzuari njëkohësisht, është i mbrojtur nga imuniteti. Pjesë e debatit dhe kërkesave në seancën e djeshme ishte edhe padia civile. Aneta Rama i tha gjykatës se nuk mund të anashkalojë padinë civile dhe kërkesën e saj për dëmshpërblim. Ajo tha se kërkesa e saj nuk ka si qëllim dëmshpërblim material, por moral. Salati u shpreh se Sali Berisha i ka shkaktuar një dëm moral shumë të madh familjes së Edi Ramës, madje ka tronditur nënën e tij me deklaratat e bëra në Kuvend. Sipas tij, shprehja se “nëna e Edi Ramës e ka kuruar për dhjetë vjet për skizofreni nuk mund të tolerohet dhe për këtë duhet të vendoset një dëmshpërblim”. Ndërsa më tej u shpreh se Edi Rama është artist, kryetar bashkie dhe kryetar i Partisë Socialiste dhe shprehja se “ka nxjerrë me shkelma nënën e tij jashtë i ul dinjitetin e krijuar me shumë mund”. Por avokatja e palës së akuzuar ka reaguar. Sipas saj, paditësi akuzues bën gabim kur kërkon një gjë të tillë në Gjykatën e Lartë, sepse kjo kërkesë është kompetencë e shkallës së parë të gjykimit. Sa për padinë penale e ngritur nga Aneta Rama, avokatja Erinda Ballaca i tha gjykatës se pala paditëse duhet të provojë akuzat. Ajo sqaroi se deklaratat e Sali Berishës kanë qenë politike dhe nuk mund të përbëjnë vepër penale. Nga ana e tij Arjan Salati u shpreh se ka paraqitur prova të mjaftueshme. Por Ballanca u përgjigj se nuk ishte njohur me provat e sjella duke kërkuar shtyrjen e seancës gjyqësore.

Padia e Ramës

“I akuzuari prej meje Sali Berisha shpif edhe kur përhap thënie të pavërteta sikur im bir, Edi Rama, më paska dëbuar, duke më nxjerrë nga shtëpia në rrugë me rrobat e gjumit. Ky fakt është i pavërtetë dhe me përmbajtje shpifëse që synon të zhvleftësojë para opinionit publik personalitetin tim të krijuar një jetë të tërë me punë të ndershme e marrëdhënie gjithnjë korrekte me shoqërinë. Thëniet e mësipërme të kumtuara prej Sali Berishës nga tribuna e Kuvendit të Shqipërisë janë të krijuara prej të akuzuarit për qëllimet e tij. Këto “fakte” janë tërësisht të pavërteta, nuk i përgjigjen asgjëkund realitetit”, thuhet në padinë e ngritur nga Aneta Rama.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›