E Hënë, 2 Nëntor 2026

Anëtarësim, po zhvilluat zgjedhje të lira

25/05/2005  NATO, Shqipërisë

Në datën 23 maj 2005, në selinë e NATO-s, në Bruksel, u zhvillua takimi i Këshillit të Ambasadorëve të Atlantikut të Veriut me Shqipërinë, në kuadër të mbylljes së ciklit të 6-të të Planit të Veprimit për Anëtarësim të Shqipërisë në NATO. Gjatë diskutimeve është theksuar se zhvillimi i zgjedhjeve konform standardeve ndërkombëtare do të jenë një garanci për integrimin e Shqipërisë në këtë strukturë. Takimi u drejtua nga zv.sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Rico. Në hapje të takimit, Rico bëri një ekspoze të shkurtër të Raportit Përfundimtar të ciklit të 6-të të MAP, duke e vlerësuar atë të suksesshëm dhe plotësisht të merituar për arritjet e shënuara nga Shqipëria, veçanërisht në atë të Politikës së Jashtme, Reformës së Mbrojtjes dhe konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s vlerësuan në mënyrë të veçantë kontributin e Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal dhe krijimin e një klime konstruktive në rajon, si dhe pjesëmarrjen aktive të Shqipërisë në misionet paqeruajtëse dhe luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar. Po ashtu, u vlerësuan arritjet dhe progresi i shënuar në reformën e mbrojtjes, plotësimi i kuadrit ligjor dhe legjislacionit në fushat e drejtësisë dhe rendit. Këshilli i Amabasadorëve të NATO-s nënvizoi rëndësinë e zgjedhjeve të përgjithshme të 3 korrikut, duke i cilësuar ato një test të rëndësishëm për nivelin e demokracisë dhe pjekurisë politike të vendit. Në përfundim, vendet anëtare inkuajuan vazhdimin e reformave dhe shprehën mbështetjen e tyre të plotë për anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në Aleancë. Ky aktivitet, u parapri nga një takim i veçantë i zv.ministrit të Punëve të Jashtme dhe atij të Mbrojtjes, me zv.sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Rico.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›