Moisiu takim me Sekretarin e Shtetit të Austrisë
25/05/2005 Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, priti dje Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes së Austrisë, Dr. Erih Raiter. Presidenti Moisiu vlerësoi bashkëpunimin aktual mes dy vendeve dhe u shpreh për zgjerim të vazhdueshëm të marrëdhënieve. Tashmë biznesi austriak është i pranishëm në vendin tonë, madje në sektorë shumë të rëndësishëm. Moisiu theksoi rolin që ka luajtur Raiter në rritjen e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve. Duke u ndalur në çështjen e Kosovës, Presidenti Moisiu u shpreh se statusi final i saj duhet të ketë zgjidhje të shpejtë dhe të jetë i drejtë. Nga ana e tij, Raiter u shpreh, lidhur me këtë çështje, se Kosova nuk mund të ketë kthim prapa. Ai vlerësoi dhe politikën shqiptare në interes të stabilitetit dhe paqes në rajon dhe kontributin e kreut të shtetit në këtë kuadër, duke iu referuar almanakut Fisher. Krerët e shteteve respektivë patën një takim para pak ditësh gjatë Samitit të Këshillit të Evropës, në Varshavë, gjatë të cilit u rikonfirmua dëshira e vullneti i palëve për thellim marrëdhëniesh dypalëshe. Presidenti austriak, Fisher, ka ftuar Presidentin Moisiu të vizitojë zyrtarisht në muajin tetor të këtij viti Austrinë.