Topalli prezanton kandidatët e PD në Fier
25/05/2005 Nënkryetrja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka prezantuar në rrethin e Fierit kandidatët për deputetë të zonave 67 dhe 68, Vasillaq Ngreci dhe Hasan Halili. Në fjalën e saj, nënkryetarja Topalli tha se, pas votimeve, data katër korrik do të shënojë fillimin e një epoke të re, me një forcë progresiste në pushtet. “Jemi të bindur se këtë herë ne kemi zgjedhur kandidatët më të mirë, më të pastër, më të drejtë, të aftë për qeverisjen e vendit dhe votëbesimit. Këtë herë vërtet e kemi realizuar për të gjetur figurat më me reputacion, më elitar, që secili prej tyre kur të krijohet qeveria e re i ka të gjitha mundësitë dhe kapacitetin e tij për t'u ulur në karrigen e ministrit dhe për të menaxhuar fushën që i përket”, tha Topalli. Me tej, duke u shprehur e sigurt në fitoren e PD, Topalli theksoi se kandidatët e opozitës janë krejt të ndryshëm me vagabondët politikë të korruptuar të PS, të cilët janë përpjekur vetëm për të ngritur dinastitë e tyre. Në fjalën e tij, kandidati i zonës 68, Hasan Halili, u bëri thirrje të pranishmëve të bashkohen të gjithë së bashku për ndryshimin e këtij realiteti. “Ne do të punojmë pa u lodhur në të mirën e përbashkët të një populli të tërë”, tha Halili.