E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zonën do ta shpall prioritet të qeverisë

25/05/2005  Shaban Rexhep Memia

Vendlindja: 20.06.1955, Tropojë

Statusi: Martuar, dy fëmijë

ARSIMIMI:

1976-1981: Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega Biologji;

1988: Kandidat i Shkencave;

1990: Doktor i Shkencave;

1994: Profesor Doktor;

PËRVOJA PROFESIONALE:

1982-1986: Instituti i Studimeve Shkencore të Peshkimit-Shef Sektori;

1986-1993: Pedagog në Institutin e Lartë Bujqësor, Fakulteti i Veterinarisë;

1987-2000: Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dega Biologji

KARRIERA POLITIKE:

Dhjetor 1991: Nismëtar i themelimit të PDSH;

Dhjetor 1990: Anëtar i Komisionit nismëtar të PD, dega Tiranë;

1991-2002: Anëtar i Kryesisë së PD, dega Tiranë; 1992/01: Sekretar i Përgjithshëm i PD, dega Tiranë;

1991-2002: Anëtar i Këshillit Kombëtar të PDSH;

2001-2002: Anëtar i Kryesisë së PDSH;

1991 e vazhdim: Deputet i PDSH në legjislaturat XIII, XIV, XV;

1997 e vazhdim: Sekretar "Komisioni i Rendit dhe SHISH-it".

Zona 36 do të jetë prioritare për qeverinë e ardhshme të PD-së

Do punoj për përmirësimin e infrastrukturës, pasi në disa zona është në gjendje të mjerueshme

Heqjen e faturave afrove për energjinë elektirike

Rritjen e numrit të të punësuarve në këtë zonë

Përshpejtim të legalizimit të banesave

Përmirësim i sistemit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza

Ngritja e një tjetër shkolle të mesme

Futja në universitete e të gjithë maturantëve që mbarojnë sivjet, bazuar dhe në platformën e PD

Bërjen e mundur të furnizimin 24 orë me energji elektrike dhe ujë të pijshëm

Shndërrimin e zonës në pjesë integrale të kryeqytetit

Shaban Memia thekson se e ka të sigurtë fitoren në Kinostudio

Zoti Memia, ju jeni kandidat për deputet në zonën 36. Do donim të dinim që veç platformës së PD-së, a keni ju një platformë konkrete për këtë zonë?

Zona ku unë kandidoj ndodhet jo më larg se dy kilometra nga qendra e Tiranës, por ajo është një nga zonat më të varfra dhe më me probleme. Nga njëra anë kjo është dëshmi e diskriminimit që i kanë bërë politikat e qeverisë, dhe ka probleme si kudo, varfëria, papunësia. Por, më thelbësore dhe është arsyeja pse unë lëviza nga zona, është fakti që unë kam një platformë të qartë për të. Së pari, do ta shpall zonë prioritare të qeverisë demokratike nesër, kam përcaktuar problemet dhe objektivat parësore nga të cilat varet zgjidhja e problemeve të tjera. Do ta kthej në një kantier ndërtimi, pasi nuk pranoj që në një zonë ngjitur me unazën të ketë një territor të natyrës së getos. Kjo për sa i takon infrastrukturës, sistemit të ujërave të zeza e të bardha, sistemit të energjisë elektrike, atij shkollor, që është në gjendje katastrofike. Për të gjitha këto, unë jam në përfundim të një platforme shumë të detajuar, me objektiva konkretë, pa influenca elektorale. Për katër vjet atë zonë do ta bëjmë pjesë integrale të Tiranës.

Përse besoni se do të fitoni?

Dy janë komponentët: platforma konkrete që kam unë, si dhe eksperienca politike. Kam 14 vjet që jam në politikë, kam kandiduar në të gjitha zgjedhjet dhe ku kam kandiduar, kam fituar. Nuk i kam krijuar asnjë kosto elektorale as vetes dhe as partisë që përfaqësoj. Kam qenë deputet i opozitës. Për deputetin e opozitës ka dy mënyra: një hipokrite përmes interpelancave për zonën e vet në parlament dhe një mënyrë serioze e dinjitoze për t’i përballur shqetësimet e qytetarëve të zonës. Nga mëngjesi deri në darkë të hartosh projekte e programe për të zgjidhur hallet që ka elektorati. Nga ana tjetër, kur të vijë qeverisja e PD-së, do të jetë lule ajo që i kam bërë unë me banorët e Kamzës qeverisjes së Nanos, në krahasim me atë që do bëj për banorët e kësaj zone me qeverisjen demokratike. Do ta kthej zonën në kantier ndërtimi.

Si e konsideroni kundërshtarin tuaj në këtë zonë?

Unë në përgjithësi i kam vlerësuar kundërshtarët, por unë i mund kundërshtarët. Nuk është faji im që Andis Harasani është përfaqësues i qeverisë, e cila në njëfarë mënyre personifikon varfërinë, papunësinë, trafiqet e korrupsionin, krizën energjetike, monopolet. Ne kërkojmë votën dhe përpiqemi të ngjallim shpresën e të gjithë atyre shqiptarëve që kanë pjatën e gjellës më të varfër se katër vjet më parë, nuk po them tetë vjet më parë dhe janë 80 për qind e shqiptarëve. Përgjegjësinë e drejtpërdrejtë për këtë e ka qeveria socialiste dhe Fatos Nanon. Dhe Harasani është një nga marionetat e Fatos Nanos që ka realizuar afera korruptive. KESH është nga institucionet që shqiptarëve u ka krijuar kosto financiare. Përgjatë tetë vjetëve nuk ka pasur asnjë përgjegjësi për sa i përket furnizimit me energji të qytetarëve dhe biznesit, sepse nga 6 deri në 16 orë kanë munguar. Së dyti, deklaron vetë se kostoja është më e lartë se çmimi dhe pastaj thotë se del me fitim, sepse vendos gjoba për shqiptarët. Ka fakte nga më skandalozet, një familje me kontator shënon 200 kilovat, ndërsa aforfe 300 kilovat. Dhe për këto është qeveria përgjegjëse dhe, në mënyrë të veçantë, marioneta e Fatos Nanos.

Keni ndonjë mesazh për banorët e zonës tuaj?

Duhet të më votojnë, sepse votën unë e konsideroj gjënë më të shenjtë. Dhe ai që të ka dhënë votën, të ka dhënë shpresën, varfërinë, perspektivën, të ka dhënë gjithçka. Unë nuk e shpërdoroj votën e zgjedhësve të mi. Unë jetoj me shqetësimet e qytetarëve dhe mbetem i angazhuar të vihem në dizpozicion të tyre me tërë energjitë e mia. Dhe do i shtoj energjitë në raport me zonat ku kam qenë, pasi ka më shumë probleme këtu. Të jenë garant se do të jem mbrojtës i shqetësimeve, halleve dhe problemeve të tyre. Profilin tim politik e kam konsistent. Ndershmëria, përkushtimi, eksperienca janë garanci për të më votuar edhe në këtë zonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›