Anëtarësimi, Rama: Pa zgjedhje të lira s'ka kuptim
Tirana, dje në festë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
TIRANË- Tirana ka qenë dje në festë për anëtarësimin me të drejta të plota të Shqipërisë në NATO. Nën kujdesin e veçantë të Bashkisë së Tiranës, dje, gjatë gjithë ditës, në të dyja urat kryesore të Lanës, janë ngritur skena për këngëtarë dhe balerinë. Ende pa perënduar dielli, Tirana është ndezur nga prozhektorët shumëngjyrësh. Me qindra njerëz kanë kënduar e kërcyer dje nën ritmet e muzikës, ndërkohë që pjesë e këtyre festimeve është bërë edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i cili pasi ka ecur përgjatë bulevardit, ka përshëndetur me një fjalim të shkurtër qytetarët, që po ndiqnin koncertin festiv, duke ia dedikuar këtë ditë të madhe për historinë e Shqipërisë, përpjekjeve të shqiptarëve. Por, megjithëse ditë feste, Kryebashkiaku nuk ka vonuar që t'i kujtojë qeverisë se të qenët anëtarë i kësaj aleance, kërkon edhe përgjegjësi më të mëdha, sidomos në ato sfida që konsiderohen si prova të pjekurisë politikë, siç janë edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare. "Nesër është një ditë e re. Shqipëria në NATO nuk mund të kuptohet pa të drejtën e secilit për të votuar lirisht, nuk mund të kuptohet pa garantuar këtë të drejtë themelore të patjetërsueshme, e cila as mund të blihet dhe as mund të shitet",- u shpreh Rama, duke kërkuar zgjidhje imediate nga qeveria për problemin e kartave të identitetit. Kryetari i Bashkisë, njëkohësisht edhe Kryetar i PS-së, Edi Rama, ka theksuar se do të bëhen të gjitha përpjekjet që në zgjedhjet e qershorit, çdo shqiptar e shqiptare të votojë lirisht, pavarësisht nëse është shumë i varfër, shumë i moshuar apo shumë larg qendrës së votimit. "Falë anëtarësimit në NATO, ne sot jemi më të vetëdijshëm se kurrë për domosdoshmërinë e garantimit të demokracisë në Shqipëri dhe të mbrojtjes së lirive e të drejtave themelore të qytetarëve të këtij vendi, duke filluar nga liria dhe e drejta për të votuar",- shtoi ai. Më pas, Rama ua ka lënë skenën këngëtarëve për të performuar për kryeqytetasit, të cilët kanë vazhduar të festojnë deri në orët e vona të natës.