Hapen punimet e Samitit, Obama: Mirëpresim Shqipërinë në NATO
Hapen punimet e Samitit. Krahas zgjerimit të NATO-s, do të diskutohet për situatën në Afganistan dhe pasuesin e Sheferit
TIRANË- Shqipëria dhe Kroacia janë sot dy anëtaret e reja, me të drejta të barabarta në Aleancën e madhe të Atlantikut të Veriut. Gjatë fjalimit të djeshëm të mbajtur në Strasburg, Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, ka deklaruar se mirëpret Kroacinë dhe Shqipërinë në NATO.
"Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin një mbrojtje të fortë evropiane, prandaj edhe kemi mirëpritur anëtarësimin e Kroacisë dhe të Shqipërisë në NATO",- tha Presidenti amerikan. Ndërkohë, punimet e sotme të Samitit të NATO-s, veç zgjerimit me dy anëtarë të rinj, do të përqendrohen edhe në forcimin e Aleancës dhe sfidat e reja të saj. Presidenti i SHBA-së, Obama, në konferencat për shtyp me Presidentin francez, Sarkozy, dhe me kancelaren gjermane, Merkel, foli për përpjekjet e NATO-s, për sigurinë në Afganistan.
Ndërkaq, kancelarja gjermane, Angela Merkel, theksoi se gjatë mbledhjes së sotme do të zgjidhet edhe sekretari i ri i NATO-s, i cili do të zërë vendin e Jap de Hoop Scheffer, pas 30 korrikut të këtij viti. Pasuesi i Scheffer-it pritet të jetë Kryeministri i Danimarkës, Anders Fogh Rasmusen, për të cilin ka një konsensus të gjerë nga vendet anëtare.
Ceremonia
Në orën 19.00, nisi mbrëmë ceremonia zyrtare e Samitit të NATO-s, në Baden-Baden të Gjermanisë. Krerët e delegacioneve të vendeve anëtare u priten dje nga Presidenti francez, Nikolas Sarkozy, kancelaria gjermane, Angela Merkel dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hoop Scheffer. Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga zonja e parë, Teuta Topi.
Në Baden-Baden është zhvilluar mbrëmë një darkë pune e krerëve të shteteve anëtare të NATO-s, ndërsa sot punimet e Samitit do t'i kalojnë Francës. Në mëngjes, kryeministrat e vendeve anëtare do të nisen nga toka gjermane, të shoqëruar nga kancelarja Angela Merkel, për t'u pritur në urën që lidh Gjermaninë e Francën, nga Presidenti francez, Nikolas Sarkozy, një agjendë kjo që simbolizon paqen në Europë mes dy vendeve.
Delegacioni shqiptar kryesohet nga Presidenti Bamir Topi, e në përbërje të tij janë rreth 30 anëtarë, mes të cilëve Kryeministri Sali Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Mbrojtjes, Gazment Oketa, ai i Jashtëm, Lulzim Basha, si dhe krerët e grupeve kuvendore të Partisë Socialiste dhe Demokratike, Valentina Leskaj dhe Astrit Patozi.
Për këtë ngjarje historike për vendin tonë, në Shqipëri janë organizuar aktivitete të shumta, që do të fillojnë sot me aktivitetet e organizuara nga Bashkia e Tiranës dhe do të përfundojnë nesër në darkë, më një tjetër aktivitet të organizuar, kësaj here nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha.
Shqipëria në NATO, ngrihet flamuri shqiptar
TIRANË- Flamuri shqiptar u ka paraprirë 27 flamujve të tjerë në Pallatin e Kongreseve në Strasburg të Francës, ku do të mbahet mbledhja më e rëndësishme e samitit të NATO-s. Simboli i dukshëm pas anëtarësimit me të drejta të plota më 1 prill, është ngritur dje krah 27 aleatëve në të gjitha ndërtesat ku mbahet samiti i 60-vjetorit të NATO-s. "Flamuri shqiptar është gjithmonë i pranishëm në takime, por këtë herë ai ndodhet pranë vendeve anëtare të NATO-s",- ka deklaruar dje për mediat, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha.
Shefi i diplomacisë shqiptare ka theksuar se Shqiperia, ashtu sikurse më parë, do të japë kontributin e saj në çështjet, që shqetësojnë Aleancën. "Shqipëria e ka pasur rastin të shprehet mbi të gjitha çështjet që shqetësojnë Aleancën dhe Shqipëria konsiderohet si një partner i përhershëm. Ne kemi dhënë kontributin tonë, që ka të bëjë me interesat ndërkombëtare dhe mënyrat se si Shqipëria do të angazhohet në politikat ndërkombëtare",- ka pohuar Basha.
Ndërkohë, sot në mëngjes, 27 aleatë do të udhëhiqen nga Angela Merkel, mbi urën që lidh qytetin e Kehlit në Gjermani me atë të Strasburgut në Francë, ku do të priten nga Presidenti Nicolas Sarkozy. Në këtë qytet do të mbahet edhe takimi më i rëndësishëm i Aleancës Veriatlantike, i cili do të fokusohet tek tema kryesore dhe më e rëndësishme për amerikanët: rritja e të gjitha llojeve të kontributeve në Afganistan. Gjatë këtij samiti pritet të diskutohet për një sekretar të ri të përgjithshëm të NATO-s, si dhe për reformimin e kësaj të fundit.