Anëtarësimi i Kosovës në BERZH, jo në axhendën e qeverisë

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës, e mbajtur më 29 shkurt, nga kryeministri Hashim Thaçi ishte quajtur “e veçantë”, pasi, sipas tij, Kosovës i janë hapur dyert në Evropë, përfshirë edhe anëtarësimin në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
“Gjatë muajit mars ne do të aplikojmë si Republikë e Kosovës, dhe do të respektojmë procedurat e rregullta që të bëhemi anëtarë të barabartë në Bankën për Rindërtim dhe Zhvillim Evropian”, ka thekuar më herët Thaçi.
Mirëpo, si jo rrallëherë, pohimet e kryeministrit po hidhen poshtë, pasi nga ky anëtarësim nuk ka asgjë, sidomos gjatë këtij muaji. Zyra për Informim e BERZH, e kontaktuar nga “Zëri”, ka thënë se kjo çështje as që është në axhendë momentalisht.
“Jo, s’`ka ende asgjë nga kjo çështje (anëtarësimi i Kosovës në BERZH) dhe, ç`është e vërteta, as që është e caktuar fare data në oraret tona. Iu takon vendeve aksionare që japin qëndrimin e tyre. Ne i kemi 63 vende aksionare dhe dy aksionerë, që janë në fakt institucione, BE-ja dhe Banka Evropiane për Investime”, ka thënë shkurtimisht Zyra për Informim e kësaj banke me seli në Londër.