BE:Zgjedhjet serbe s`përputhen me detyrimet ndërkombëtare

Bashkimi Evropian nuk është shprehur të martën zyrtarisht rreth vendimit të Serbisë për të zhvilluar zgjedhje më 6 maj edhe në territorin e Kosovës, por jozyrtarisht e kanë quajtur një mundësi të tillë si gjë që është në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të Serbisë.
“Ne jemi në dijeni për vendimin, e cili është bërë sot për të mbajtur zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi më 6 maj. Kjo do të jetë një mundësi për qytetarët e Serbisë që të ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të vendosin për të ardhmen e shtetit të tyre. Ne nënvizojmë se thirrja e zgjedhjeve në Kosovë nuk është në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Serbisë, më saktësisht me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, ka thënë një zyrtar i Bashkimit Evropian në Bruksel, i cili ka komentuar vendimin e autoriteteve të Serbisë që të thërrasë zgjedhje edhe në territorin e Kosovës.