Anëtarësimi i Shqipërisë dhe Malit të Zi mund të sjellë tensione sociale në BE
“The Daily Telegraph”
Komisioneri i Zgjerimit të Bashkimit Europian, Oli Ren, e ka akuzuar Britaninë se ka një pikëpamje irracionale dhe të keqe për shtrirjen e BE-së në drejtim të Lindjes dhe për punonjësit e huaj. Ai lëshoi një sulm të çuditshëm, ashtu siç bëri në rastin e 5-vjetorit të zgjerimit në vitin 2004, kur iu bashkuan BE-së 10 vendet nga Europa Lindore dhe Qendrore. Ai e krahasoi “skepticizmin” rreth zgjerimit, veçanërisht në shtete të tilla si Britania, Gjermania dhe Franca, me sentimentalizmin e viteve 1960. Finlandezi 47-vjeçar këmbëngul se reagimi negativ ishte produkt i “psikologjisë popullore” dhe prapambetjes, duke parë ndjesinë për kohën e kaluar. “Unë nuk mund të shoh ndonjë arsye racionale”, - i tha ai “The Daily Telegraph”. Në krijimin e BE-së, shtetet anëtare kanë pasur një ndjesi se ai është një klub i rehatshëm, rreth vatrës familjare, ku ne mund të ndërmarrim vendime që kanë lidhje me të gjithë ne, që janë shumë të ngjashme. Ekziston një nostalgji tërësisht e ëmbël. Kjo është e ngjashme me regjistrimet e Bitëllsave (Beatle) apo paraqitjen e Xhorxh Bestit (George Best), të Mançester Junajtid (Man United). Por kjo i përket një periudhe tjetër. Britania është treguar deri tani, masivisht, vendi më i hapur ndaj zgjerimit dhe punonjësve të huaj, në ndryshim nga pjesa tjetër e Europës, e cila kishte konflikte dhe protesta, por kohët e fundit ajo ka ndryshuar, duke adoptuar filozofinë: “Punë britanike për punonjës britanikë”.
“Unë e njoh mirë qetësinë britanike dhe ua di humorin”, - thonë zoti Ren, familja e të cilit ka lidhje me Britaninë dhe që është tifoz i përjetshëm i klubit të futbollit të Mançester Junajtid. “Unë e di se ka një farë skepticizmi. Sondazhi më i fundit i opinionit publik, që ka bërë Komisioni Europian, tregoi se 52 për qind e britanikëve tani janë indiferentë ose kundërshtarë të zgjerimit. Në Gjermani, vetëm 38 për qind besojnë se zgjerimi sjell përfitime për BE-në. Në Francë, mbështetja ka shkuar 36 për qind. Pas aplikimeve të fundit për në BE nga Shqipëria dhe Mali i Zi, disa qeveri kombëtare janë shprehur të frikësuar se një tjetër valë zgjerimi drejt Lindjes mund të shkaktojë tensione sociale për punësimin gjatë periudhës së krizës ekonomike.
Zoti Ren, i cili ka marrë titullin “PhD” duke studiuar për konkurrencën industriale, nuk pranoi të shqyrtojë argumentin se zgjerimi i BE-së, i cili përfshin edhe të drejtat e emigrimit për punonjësit e huaj, mund të shtojë kohën e recesionit ekonomik dhe të rrisë papunësinë. “Ne kemi njëfarë skepticizmi tek opinioni publik në shumë shtete anëtare të BE-së. Unë jam i ndërgjegjshëm për këtë. Në pikëpamjen time, ne i jemi përgjigjur këtij skepticizmi me fakte”, - thotë zoti Ren. Shumë njerëz janë duke thënë tani se për shkak të recesionit ekonomik ne nuk mund të vazhdojmë zgjerimin, se është tamam një perceptim i gabuar. Një recesion në Poloni nuk kupton rritje në Gjermani. Komisioneri theksoi se të dhënat tregojnë se ka një trefishim të tregtisë së BE-së që nga viti 2004. “Zgjerimi ka pasur qartësisht ndikim pozitiv në shtimin e punësimit në Europë”, - thotë ai. Realisht nuk është gabimi i punëtorit serb apo atij polak se ekonomia botërore tani ndodhet në recesion. Zoti Ren pranon se në disa raste, duke përfshirë edhe protestat në rafinerinë e naftës “Lindsey” në Britani për vendet e punës që janë zënë nga emigrantët që kanë ardhur nga vendet e tjera të BE-së, problemet mund të jenë të zgjidhshme lehtësisht tek disa sektorë apo kompani, por se, në një pamje më të gjerë, humbasin përfitimet ekonomike. “Unë jam i shqetësuar rreth disa shenjave të proteksionizmit ekonomik”, - thotë ai. “E vetmja zgjidhje është që të komunikojmë me qytetarët tanë, të sigurojmë të dhëna dhe politika jonë të bazohet mbi faktet”.
Artikulli është marrë nga e përditshmja britanike “The Daily Telegraph”
Titulli origjinal i shkrimit është “Komisioneri thotë se Britania ka pikëpamje irracionale për Europën”
Përgatiti: Albert Gjoka
2 Maj 2009