Berisha ngatërron Zorbën me Zervën, hutohet pas votave të çamëve
Berisha është hutuar tërësisht pas votave dhe sytë, veshët dhe mendja nuk i funksionojnë për asgjë tjetër. Edhe dje, teksa nënshkruante marrëveshjen me Partinë për Drejtësi dhe Integrim, ka bërë gafën e radhës, duke ngatërruar personazhin më të paqmë të kësaj bote me një ndër vrastarët më të mëdhenj të shqiptarëve. Në vend që të thoshe “Zerva”, Berisha ka përmendur dy herë “Zorba”, teksa “joshte” kreun e PDI-së për të firmosur marrëveshjen parazgjedhore.
Nëse do të ishte gjallë ideatori dhe autori i Aleksis Zorbas, shkrimtari i njohur grek, Niko Kananzaqis, dhe do ta cilësonin personazhin e tij si masakrues të popullsisë çame, apo do ta krahasonin me Enver Hoxhën, do të ndihej keq. Kjo për faktin se Zorba është njeriu më paqësor i kësaj bote; është shpirti i lirë, jo vetëm grek, dhe nuk e lidh asgjë me shpirtin e sëmurë dhe gjakatar të Zervës, që masakroi me mijëra çamë dhe i përzuri nga vendlindja e tyre.
Ndërsa kryeministri Berisha është hutuar shumë këto kohë, megjithëse mund ta ketë lexuar librin e Niko Kananzaqisit, apo ta ketë parë filmin kur Zorba është me fytyrën e aktorit të njohur botëror, Entoni Kuin (Anthony Queen), apo edhe ta ketë dëgjuar Zorbën në një prej muzikalëve më të famshëm, i vënë në skenat e njohura të muzikës.
Berisha është në dehjen e ditëve pas vizitës së kryeministrit grek Kostas Karamanlis dhe nga pengu që nuk arriti t’ia përmendë Zervën kreut të qeverisë së Athinës, bën gafën e radhës, por kësaj radhe me komunitetin çam në Shqipëri dhe përfaqësuesin e tyre politik. Duket se është i interesuar thjesht që të marrë votat e tyre, pa e vrarë mendjen për historinë dhe ata që i masakruan.
2 Maj 2009