E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama, pasi e keqpërdori politikisht, i kërkon të burgosurës Feride të mos kthehet më në burg

Skandali! Kryetari i Partisë Socialiste dhunon ligjet e shtetit. U kërkon të dënuarve të braktisin burgjet. E dënuara për kultivim bimësh narkotike rrëfen një marrëveshje të fshehtë me kryesocialistin

“Rama më tha: ti mos ik. Po si të mos shkoja më unë në burg! Nuk e di, por mbase do të jetë zemëruar, se më tha rri se ta marr unë përsipër përgjegjësinë, por unë nuk ndenjta në shtëpi. Tani do t’i them, mos e merr më mundimin se je i vogël dhe nuk bën dot gjë”, tregon e moshuara Feride Bako, që vazhdon të kryejë dënimin e dhënë nga Gjykata

TIRANE - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka kërkuar një të burgosure për kultivim bimësh narkotike, që të mos kthehet më në burg për të kryer dënimin. Kreu i PS, në fund të vitit të kaluar ishte për një vizitë në familjen e të burgosurës Feride Bako, e cila ishte me leje për të parë të afërmit e saj dhe i kërkoi asaj që të mos kthehej për të përfunduar dënimin e dhënë nga gjykata. Megjithëse Rama i kërkoi të mos kthehej në burg, e moshuara Feride Bako, pasi mbaroi lejen u kthye dhe vazhdon të vuajë dënimin në burg për kultivim bimësh narkotike. Ajo tha dje për televizionin “Klan” se, Edi Rama i kishte premtuar se do ta lironte nga burgu, por megjithëse kanë kaluar më shumë se tre muaj nga takimi, ai nuk e ka mbajtur fjalën.
“Unë mendoj se atij i ka ngelur hatri se unë nuk e mbajta fjalën për të mos shkuar më në burg. Kur unë vajta me leje për të parë njerëzit e mi të familjes, Edi Rama më tha që të mos kthehesha më në burg, por unë i thashë se kam firmosur dhe do të shkoj prapë atje. Mendoj se prandaj është zemëruar që, as ka ardhur më dhe as nuk ndërhyri për të më liruar nga burgu”, shprehet e moshuara Feride Bako.
Ajo thotë më tej se Edi Rama i kishte premtuar se do ta lironte nga burgu më 7 mars.
“7 marsi kaloi dhe unë jam akoma në burg. Ai erdhi atëherë me një makinë nga Partia në fshatin tim dhe më tha se do të të liroj, por kur erdhi puna, unë ngela në burg. Unë durova dy muaj e ca se më tha, do të dalësh më 7 mars. Erdhi këtu me makinën e burgut dhe më mori. Më tha se do të të liroj, por sa pati mundësinë shtriu krahët. Vetëm Presidenti e bën këtë punë, se unë vajta me Ramën dhe nuk bëri gjë”.
Ajo nuk e harron ditën kur udhëtoi për në Fier për të qëndruar për pak kohë pranë nipërve, për t’u rikthyer sërish në dhomën e burgut, me shpresën se Edi Rama do ta lironte ashtu siç i kishte premtuar. Por ky premtim është kthyer në zhgënjim për të dhe ia ka rënduar edhe më tepër vuajtjen.
“Do bëhet më 8 mars, do bëhet më 2 prill dhe unë rri e prit, por Rama më gënjeu. Edhe gjumin nuk e kam bërë tamam, nuk më zë gjumi, rri zgjuar dhe qaj”, thotë ajo.
Për Feride Bakon, të gjithë mësuam diçka në dhjetor të vitit të kaluar, për disa ditë e moshuara zuri pjesën më të madhe të axhendës së kryetarit të PS, Edi Rama, por vetëm kaq, sot ajo rrëfen edhe një sekret për një marrëveshje të fshehtë me kryesocialistin. “Rama më tha: ti mos ik. Po si të mos shkoja më unë në burg! Nuk e di, por mbase do të jetë zemëruar, se më tha rri se ta marr unë përsipër përgjegjësinë, por unë nuk ndenja në shtëpi. Tani do t’i them, mos e merr më mundimin se je i vogël dhe nuk bën dot gjë”, tregon e moshuara Feride Bako, që vazhdon të kryejë dënimin e dhënë nga gjykata.
Në takime që zhvillon me elektoratin e majtë, kreu i PS-së, Edi Rama, shtiret se është për një shtet ligjor dhe respekton ligjet dhe vendimet e gjykatave, por në realitet është krejt ndryshe. Këtë fakt e tregon edhe e moshuara, që vuan dënimin e dhënë nga gjykata. Megjithëse Rama i ka kërkuar që të mos shkojë më në burg, ajo është kthyer për të kryer dënimin.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›