Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, po aq i rëndësishëm edhe për Kosovën
Ka mbetur diç më pak se disa ditë, kur Republika e Shqipërisë definitivisht do të jetë anëtare fuqiplotë e Aleancës Veri-Atlantike. Në fakt fjala është për anëtarësim në aleancën më të madhe politike dhe ushtarake me rëndësi gjeostrategjike. S’do mend se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është momenti më i rëndësishëm historik jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Kosovën dhe rajonin. Vlen të veçohet se përkundër problemeve të brendshme, Shqipëria në aspektin e reformave ushtarake dhe të ngritjes së gatishmërisë vepruese të ushtrisë së saj bëri hapa të përshpejtuar dhe shumë pozitivë. Mirëpo kjo nuk do të thotë se ritmi i mëtejmë i reformave, eliminimit të dobësive qofshin të atyre udhëheqëse, drejtuese-komanduese, qofshin të karakterit organizativ, funksional e operacional të armatës shqiptare me aktin e pranimit në Aleancë, do të ndërpriten. Përkundrazi, ato duhet të intensifikohen në bashkëveprim të ngushtë me kreun e Aleancës, duke i shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe përparësitë që dalin nga vetë anëtarësimi i saj në NATO. Mirëpo anëtarësimi në NATO nuk nënkupton reforma vetëm në planin ushtarak e të sigurisë, por edhe domosdoshmërinë e reformave të karakterit ekonomik, të zhvillimit të demokracisë, mënjanimin e dobësive të brendshme, të cilat kanë të bëjnë me luftimin e krimit të organizuar, trafikimit e dukurive të tjera negative me të cilat po ballafaqohet Shqipëria.
Marrë në tërësi me anëtarësimin e Shqipërisë (edhe të Kroacisë) në Aleancë, siguria e tërësishme në Ballkan do të bëhet më e qëndrueshme. Kuptohet, duke nënkuptuar këtu edhe mundësinë e eliminimit të mosmarrëveshjeve të Maqedonisë me Greqinë, e cila domosdoshmërish do të duhej të anëtarësohet në këtë organizatë në një të ardhme të afërt. Në këtë kontekst, kur kemi të bëjmë me stabilitetin rajonal, vendet e Kartës së Adriatikut ku bën pjesë edhe Shqipëria kanë përgjegjësinë që përveç siç thamë, reformave ushtarake, të zhvillojnë masa dhe veprime të bashkëpunimit ndërkufitar, luftës kundër krimit të organizuar, trafikimit të njerëzve, armëve, lëndëve narkotike dhe veprimeve të tjera kriminale.
Për Republikën e Kosovës, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është i një rëndësie të jashtëzakonshme, sidomos në këtë fazë të tranzicionit në të cilën gjendet vendi ynë. Më konkretisht, fjala është për dobi të shumëfishtë për sigurinë, siç thamë të rajonit, e në veçanti për Republikën e Kosovës, në territorin e së cilës gjendet një kontingjent i pjesëtarëve të NATO-s, prezenca e të cilit edhe më tej do të vazhdojë përkundër paralajmërimit për pakësimin e tij. Në anën tjetër, fuqizimi në aspektin e sigurisë së tërësishme të Shqipërisë me aktin e anëtarësimit të saj në Aleancë, brishtësia e sistemit të sigurisë vetanake me të cilën Republika e Kosovës po ballafaqohet gjithnjë e më tepër, do të eliminohet. Kjo nënkupton mundësi shumë më të madhe për vendin tonë që të kërkojmë në mënyrë të përshpejtuar anëtarësim në partneritetin e NATO-s për Paqe. Duke u anëtarësuar në partneritet, ne mund të kërkojmë bashkëpunim ndoshta edhe të avancuar me ndonjë shtet anëtar të NATO-s. Konkretisht, kjo kërkesë mund t’i drejtohet Shqipërisë për shkak të specifikave që ky vend ka për ne. Krahas formimit të FSK-së, të vëmë themelet e fillimit të anëtarësimit tonë në një të ardhme të afërt në këtë organizatë politike-ushtarake. Ndihmesa kadrovike nga ushtria shqiptare në formësimin dhe aftësimin e FSK-së, do të ishte e mirëseardhur sidomos për shkak të afërsisë sonë gjeografike me Shqipërinë, si dhe të mundësisë së zvogëlimit të shpenzimeve, në aftësimin e kuadrit udhëheqës dhe komandues konform standardeve të NATO-s, nëpërmjet shkëmbimit të kuadrove, trajnimeve etj. Përafrimi ynë me Shqipërinë ka një domethënie edhe gjuhësore, sepse ky është element shumë i rëndësishëm, e që duhet domosdoshmërish të shfrytëzohet si përparësi në aspekt të funksionalizimit, efektshmërisë dhe ngritjes së gatishmërisë vepruese të komandave dhe shtabeve të FSK-së. Barriera gjuhësore nganjëherë ka bërë që bashkëpunimi ushtarak të çalojë në mes vendeve të ndryshme, bile edhe anëtare të NATO-s. Prandaj, mundësia e shfrytëzimit të kësaj përparësie, që tani duhet të vlerësohet dhe të perceptohet në planin afatmesëm të zhvillimit tonë mbrojtës. Aq më parë që pas një periudhe kohore, Republika e Kosovës si shtet do të duhej të rishqyrtojë të arriturat në FSK dhe ndoshta nevojën e një rritje numerike (konform mundësive tona ekonomike) dhe të ngritjes së saj në një ushtri numerikisht të vogël, por moderne, për nevoja vetëmbrojtëse sipas parametrave të NATO-s.
Prandaj, siç thamë, shfrytëzimi i kapaciteteve ushtarake të Shqipërisë si anëtare e NATO-s duhet pa hezitim të na shërbejë përveç tjerash edhe për përshpejtimin e anëtarësimit tonë në NATO.
*Autori është analist ushtarak