E Diel, 1 Nëntor 2026

Formulari A2 publikohet nesër



Nesër do të publikohet Formulari A2, që shërben për aplikimin në shkollat e larta. Burime nga Ministria e Arsimit bën të ditur për “standard” se formulari do të jetë i njëjtë me një vit më parë, ndërkohë që ndryshime të vogla do të jenë për sa u përket degëve të reja të universiteteve publike, ku studentët do të mund të aplikojnë. Formulari A2 do të plotësohet në qershor, vetëm pas përfundimit të dy provimeve të detyrueshme të Maturës Shtetërore.

Burime nga ministria bënë të ditur se formulari është gati dhe se do të respektohet afati ligjor i përcaktuar. Rregullorja e Maturës Shtetërore përcakton se deri në datën 1 prill duhet që ministria të miratojë “Formularin A2 (të dhënat e nxënësve që kanë marrë provimet e detyruara, me notën mesatare dhe përzgjedhjen e degëve të shkollave të larta ku dëshiron të studiojë) dhe Udhëzuesin e formularit A2”.

Formulari A2

Formulari A2 shërben vetëm për ata studentë që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta në një nga 12 universitetet publike në vend, duke përjashtuar Akademinë e Arteve dhe Akademinë e Sporteve. Në këtë mënyrë, kush dëshiron të kandidojë për në shkollat private, universitetet jashtë vendit ose dy akademitë, nuk ka përse të plotësojë formularin A2 dhe të japë lëndët me zgjedhje.

Formulari përmban të dhënat e nxënësve që kanë marrë provimet e detyruara, me notën mesatare dhe përzgjedhjen e degëve të shkollave të larta ku dëshiron të studiojë dhe së bashku me të publikohet edhe udhëzuesi i formularit që përmban informacion praktik për mënyrën e plotësimit.

“Regjistrimi i çdo kandidati për provimin me zgjedhje konsiderohet i plotë, në qoftë se krahas plotësimit me saktësi të çdo të dhëne të kërkuar, formularit A2 i bashkëngjitet mandatarkëtimi origjinal që vërteton pagesën e tarifës së Maturës Shtetërore. Formulari A2 pranohet vetëm i shoqëruar me mandatarkëtimin”, – përcakton Rregullorja e Maturës Shtetërore.

Plotësimi

“Formulari A2 do të plotësohet, ashtu si vjet, pasi të kenë përfunduar provimet e detyrueshme të Maturës”, – tha zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit, znj. Ermelinda Muho. “Ai do të publikohet sipas afateve që ka përcaktuar udhëzimi, ndërkohë që për plotësimin do të pritet muaji qershor”.

Në këtë mënyrë, formulari A2 do të publikohet në fillim të javës së ardhshme, ndërsa kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta, duhet ta plotësojnë brenda datës 30 qershor dhe ta dorëzojnë atë në komisionin e shkollës. “KSHMSH-ja dërgon zyrtarisht në KMSH-në e DAR/ZA-së formularët A2, të plotësuar sipas nenit 29, si edhe tabelën e regjistrimeve, brenda datës 2 korrik. KMSH-ja e DAR-it dhe ZA-së, pasi bën verifikimet përkatëse, i dërgon formularët, ndarë sipas shkollave, së bashku me tabelat e regjistrimeve, zyrtarisht me shkresë përcjellëse në MASH, më 11 korrik”, – përcakton Rregullorja e Maturës Shtetërore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›