E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtarësimi në BE, qeveria në pritje të pyetësorit

Një vit më parë, administrata publike shqiptare, bazuar në një pyetësor të tillë nga vendet që e kanë kaluar këtë proces, si Kroacia, u vendos në provë nga qeveria për të parë nivelin e përgatitjes së saj. 

TIRANE- Dorëzohet udhërrëfyesi se si duhet t’u jepet përgjigje pyetjeve që do të sjellë Bashkimi Europian për të parë nivelin e përgatitjes të të gjitha institucioneve shqiptare. Dje u zhvillua një mbledhje e përbashkët mes Komitetit Ndërministror për Integrimin dhe qeverisë, ku u diskutuan fazat e këtij procesi, ku përfshihet krijimi i strukturave menaxhuese dhe koordinuese në nivel të qeverisjes qendrore, krijimi i grupeve të punës dhe ekipeve brenda institucioneve të përfshira si dhe krijimi dhe organizimi i një grupi ekspertësh të pavarur, të përzgjedhur me kujdes dhe të trajnuar që do të mbikëqyrin procesin. Berisha e konsideroi këtë proces tejet të rëndësishëm, prandaj kërkoi angazhimin e të gjitha ministrive dhe të gjitha hallkave të tjera që një proces i tillë të përmbyllet me sukses. Një vit më parë, administrata publike shqiptare, bazuar në një pyetësor të tillë nga vendet që e kanë kaluar këtë proces, si Kroacia, u vendos në provë nga qeveria për të parë nivelin e përgatitjes së saj sa i takon proceseve integruese, reformave dhe sa njihen këto nga administrata e të gjitha niveleve. Për një pyetësor të tillë u ngritën edhe grupe pune dhe u angazhua Ministria e Integrimit për plotësimin dhe suksesin e këtij procesi. Udhërrëfyesi për pyetësorin, i cili u paraqit dje, ka të bëjë me një shkallë tjetër përgatitjeje për administratën.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›