E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomohen 24 oficerë të njësisë antiterror

Një kurs trajnimi financuar nga Ambasada Amerikane ka mundësuar krijimin e një njësie të aftë të përballojë veprimtaritë terroriste në vend. 24 oficerë policie iu bashkuan sot njësisë antiterror në vend. Ministri Basha në ceremoni. 

TIRANE- 24 oficerë policie i bashkohen njësisë antiterror në vend. Një kurs trajnimi financuar nga Ambasada Amerikane ka mundësuar krijimin e një njësije të aftë të përballojë veprimtaritë terroriste në vend. Të 24 policët e certifikuar sot në prani të Ministrit të Brendshëm Lulëzim Basha dhe zv. ambasadores amerikane Deborah Jones do të jenë të aftë të identifikojnë informatorë potencialë, të përdorin survejimet për të gjetur vendndodhjen e terroristeve, vendet e grumbullimit të tyre, të intervistojnë të dyshuar dhe dëshmitarë në hetime që kanë lidhje me terrorizmin, të kuptojnë metodat e financimit të terrorizmit, të zhvillojë një sistem të dhënash për të gjurmuar informatorët, dhe për të verifikuar informacionin e informatorëve.
Ministri i Brendshëm Basha i cili mori pjesë në ceremoninë e diplomimit të 24 oficerëve të policisë u shpreh se krijimi i kësaj njësie është shumë i rëndësishëm pasi dëshmon përpjekjet e Shqipërisë për t’iu bashkuar sfidave globale, sic është lufta kundër terrorizmit
Duke cilësuar terrorizmin si rrezik global, Basha tha se ky nuk është fenomen i izoluar por i lidhur ngushtë me krimin e organizuar dhe trafiqet e paligjshme.
“Duhet të kontribuojmë dhe të luftojmë të gjithë bashkë pasi ky kontribut ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në angazhimin për përfitimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë,- u shpreh në ceremoni Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.
Zv. ambasadorja amerikane Deborah Jones vlerësoi se është në interesin e përbashkët që në përballjen me sfidat e sigurisë të ketë një bashkëpunim sa më të mirë të agjencive të zbatimit të ligjit. Znj. Jones siguroi se Ambasada e SHBA dhe qeveria amerikane do të vijojnë mbështetjen për përmirësimin e kapaciteteve dhe fuqizimin e burimeve njerëzore të Policisë së Shtetit.
Në ceremoninë që u zhvillua me rastin e përfundimit të këtij kursi trajnimi morën pjesë gjithashtu edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi, Shefi i Zyrës Rajonale të Sigurimit Dennis San Miguel, si dhe funksionarë të tjerë të kësa zyre dhe të Policisë së Shtetit.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›