E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anëtarësimi në NATO - garanci për shtetin ligjor

30/01/2009  Topi takon Admiralin Fitxherald. Kërkohet asistencë për demontimin e armëve dhe municioneve

“Mes Shqipërisë dhe Aleancës së Atlantikut ekziston një partneritet mjaft solid”

Presidenti Bamir Topi kërkon asistencën e NATO-s në procesin e demontimit të armëve dhe municioneve. Këtë kërkesë kreu i shtetit ia ka paraqitur komandantit të Flotës Detare Amerikane në Evropë dhe komandant i forcave aleate në Napoli, admiralin Mark P. Fitxherald. “Diskutuam për çështje që janë mjaft sensitive për shoqërinë shqiptare: çështjen e çaktivizimit të municioneve, në mënyrë që ky të jetë një proces konstant, i pandërprerë, i ndjekur në mënyrë profesionale në bashkëpunim me strukturat e NATO-s, në mënyrë që të mos kemi më situata dramatike që vijnë pikërisht nga ky lloj aktiviteti”, - tha Topi gjatë një deklarate për mediet pas takimit me Admiralin Fitxherald. Deklarata e Topit

“Vendimi i Shteteve të Bashkuar në përkrahje të anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë inkurajon proceset demokratike në Shqipëri dhe forcon vullnetin e popullit shqiptar për të ndërtuar një shtet të së drejtës, lirisë e të respektit ndërinstitucional, një shtet të aftë për sfidat që i rezervon e ardhmja”, - theksoi Presidenti Topi. Kreu i shtetit tha se mes Shqipërisë dhe NATO-s ekziston një partneritet mjaft solid, që fillimisht u kurorëzua me marrjen e ftesës për anëtarësim më 3 prill të vitit 2008 në Bukuresht dhe pritet të ketë kurorëzimin final më 4 prill të vitit në Strasburg. Duke iu referuar takimit me admiralin Fitxherald, Topi tha se u ritheksua edhe një herë se stabiliteti i rajonit të Ballkanit është mjaft i rëndësishëm, sepse të kesh sigurinë, të jesh anëtar i NATO-s, do të thotë që të kesh edhe mundësi për prosperitet të dukshëm ekonomik. “NATO-ja është pa dyshim aleanca e paqes dhe e sigurisë dhe rajoni ynë do të jetë shumë më i sigurt dhe me më shumë marrëdhënie ekonomike, do të jetë me më shumë prosperitet, do të jetë me më shumë mirëqenie”, - tha Presidenti. Më tej ai u shpreh se kishte garantuar admiralin Ficxherald se institucionet e Shqipërisë kanë bërë gjithçka dhe do të bëjnë ç’është e mundur që forcimin e ligjit ta kenë të pandarë nga zbatimi i tij. “Qenia anëtar në NATO do të thotë seriozitet maksimal në zbatimin e shtetit ligjor”, - tha ai.

Deklarata e Fitxherald

“Ka qenë shumë mbresëlënëse ajo që ju keni bërë si Shqipëri, ashtu dhe me Forcat tuaja të Armatosura për NATO-n. Vlerësoj kontributin tuaj në forcat ndërkombëtare në Afganistan, Irak, Bosnjë-Hercegovinë, ashtu dhe në Mesdhe, si dhe pjesëmarrjen në misionet e Kombeve të Bashkuara në Gjeorgji dhe në Çad. Që të gjitha këto kanë provuar se Shqipëria është me të vërtetë një anëtare e bashkisë ndërkombëtare”, - deklaroi admirali Fitxherald. Ai vlerësoi gjithashtu si sinjale shumë të mira e pozitive edhe reformimin e Forcave të Armatosura shqiptare, punën e suksesshme të strukturave të Ministrisë së Mbrojtjes, bashkëpunimin e ngushtë me Aleancën, pjesëmarrjen aktive të Forcave të Armatosura në misionet paqeruajtëse anembanë botës. “Ne jemi krenarë që Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe anëtarësimi në të nuk është fundi i rrugëtimit integrues, por vetëm fillimi i tij”, - tha admirali amerikan. Në lidhje me asistencën e NATO-s për demontimin e municioneve në Shqipëri ai tha se “ne jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë për eliminimin e municioneve të tepërta dhe gjithashtu do t’ju ndihmojmë për hartimin dhe miratimin e ligjeve të duhura për sa i përket reformës në sektorin e sigurisë”. “Hyrja në NATO nuk është një fund, por është një fillim, e megjithëse ka shumë gjëra të tjera për të bërë, ne do t’i bëjmë këto bashkë si partnerë. Ju falënderojmë për gjithçka që po bëni dhe mezi presim të bashkëpunojmë më ngushtësisht edhe në të ardhmen”, - u shpreh ai.

Topi për rajonin

Shteti shqiptar ka vullnet maksimal për bashkёpunimin rajonal dhe realizimin e filozofisë së integrimit rajonal, me bindjen se integrimi nё NATO i vendeve tona do tё thotё mё shumё siguri, paqe dhe qëndrueshmëri nё të gjithë rajonin. Këtij qëllimi do t’i shërbente edhe ndërtimi i korridoreve infrastrukturorë, si Korridori 8 apo rruga që do të lidhë portin e Durrësit me Kosovën, duke rritur edhe më shumë nivelin e sigurisë rajonale.

Admirali Fitxherald

“Shpreh admirim për arritjet dhe sukseset e shënuara nga Shqipëria gjatë viteve të fundit. Vlerësoj lart rolin e rëndësishëm të Presidentit gjatë proceseve integruese dhe ruajtjen e ekuilibrave shoqërorë dhe garantimin e Kushtetutës e të pavarësisë së institucioneve të pavarura kushtetuese, si dhe për atë rol që ka luajtur e vazhdon të luajë Shqipëria dhe faktori shqiptar jo vetëm për paqen e qëndrueshmërinë rajonale, por edhe më gjerë.”

Vlerësimi

“Jemi krenarë që Shqipëria është pjesë e NATO-s dhe anëtarësimi në të nuk është fundi i rrugëtimit integrues, por vetëm fillimi i tij”, - tha admirali amerikan. Ai theksoi se Aleanca e Atlantikut të Veriut është e gatshme të ndihmojë Shqipërinë për eliminimin e municioneve të tepërta dhe gjithashtu për hartimin dhe miratimin e ligjeve të duhura për sa i përket reformës në sektorin e sigurisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›