E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli "sulm" Topit

Tiranë -Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka sulmuar ashpër Presidentin e Republikës, Bamir Topi si dhe prokuroren e Përgjithshme Ina Rama. E pyetur nga një panel gazetarësh në emisionin "Opinion" të Blendi Fevziut, Kryetarja e Kuvendit ka marrë përsipër që të rrëzojë çdo kandidaturë që do të propozohet nga Presidenti i Republikës, në rast se nuk konsultohet me Kuvendin.

Topalli theksoi se sa herë që kandidaturat të mos konsultohet më parë me Kuvendin, ata do të rrëzohen në Parlament. "Kam punuar me të gjitha bateritë dhe i kam rrëzuar të gjitha kandidaturat. Sa here të sjellë kandidatura të pa konsultuara, do t′ia rrëzoj",- tha Topalli. Kryetarja e Kuvendit ka shfaqur pakënaqësi edhe për punën e Kryeprokurores Ina Rama.

"S′mund të them se jam e kënaqur nga Prokuroria. Këtu ka dallim. Ndryshe artikulohet Presidenti, tjetër koncept kam për Prokurorinë. Numri më i madh i rasteve për korrupsion të denoncuar, i ka bërë Task-Forcë pranë qeverisë shqiptare. Si ka mundësi që në 2009-n s′kemi asnjë të dënuar për gjithë atë sistem korrupsioni para 2005-s?",- tha Topalli.

Duke folur gjatë për ligjin e dosjeve, Kryetarja e Kuvendit ka sulmuar ashpër dje edhe Gjykatën Kushtetuese, duke folur kësaj herë me emra konkretë. "Ky ligj do të shkojë tek Fehmi Abdiu. Unë jam duke ju folur për rastin e Havzi Nelës, që është dënuar me varje, me firmë të Fehmi Abdiut. Ju po thoni se do e çojë atje (PS)",- tha ajo.

E pyetur se a do ta njihte mazhoranca vendimin e Kushtetueses, Topalli la të kuptojë qartë që jo. "Unë po flas për filozofi, për moral. Një ligj që bëhet për Havzi Nelën, a duhet të gjykohet nga ai që e vari këtë poet.

Me shumë arrogancë këto njerëz flasin për të drejtat e njeriut",- tha Topalli. Kryetarja e Kuvendit komentoi mbrëmë edhe zhvillimet brenda PD-së, shkarkimin e Biberajt, si dhe koalicionin që po krijohet brenda së djathtës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›