Anëtarësimi në NATO, Berisha takon gjeneralin Craddock
Komandanti i Komandës Supreme të NATO-s për Evropën, Gjenerali John Craddock vlerëson progresin e arritur nga qeveria shqiptare gjatë viteve të fundit. Gjatë një takimi të zhvilluar dje me Kryeministrin Berisha, ushtaraku Craddock siguroi: “Ju keni përkrahjen tonë të plotë politike dhe në fushën e mbrojtjes”. Berisha i shprehu atij mirënjohjen e thellë për përkrahjen dhe ndihmën e vazhdueshme që NATO, SHBA, Presidenti Bush dhe Pentagoni, si dhe vendet anëtare të NATO-s i kanë dhënë dhe po i japin Shqipërisë në projektin madhor të shqiptarëve për anëtarësim në NATO. Komandanti i Komandës Supreme Craddock, pasi e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë, i theksoi atij se Shqipëria do të hyjë në NATO deri në samitin e ardhshëm, i cili do të mbahet në Strasburg dhe Kehl, në pranverën e vitit 2009. Komandanti Craddock e falënderoi Kryeministrin Berisha për kontributin e Shqipërisë në misionet paqeruajtëse të NATO-s dhe SHBA-së, si dhe vlerësoi reformat e qeverisë shqiptare në të gjitha fushat, në veçanti për transformimin e FA-ve të Shqipërisë në një ushtri profesioniste, duke i cilësuar ato si mbresëlënëse. Në kuadrin bilateral, Komandanti Craddock i shprehu Kryeministrit gatishmërinë e SHBA-së dhe Pentagonit për të intensifikuar bashkëpunimin në veçanti për sa i përket trajnimit, ndihmës financiare si dhe bashkëpunimin në misionet e përbashkëta.