Napolitano: Jo më paragjykim shqiptarëve
Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, njeh shtetin italian me progresin e qeverisë “Berisha”, duke vënë theksin në ecurinë pozitive të reformave kushtetuese, zgjedhore, në drejtësi, ekonomi etj. Z. Topi u prit dje nga homologu italian Napolitano të cilit i kërkoi mbështetjen e Italisë për proceset integruese të Shqipërisë në NATO dhe BE. Vetë Presidenti Napolitano siguroi se Italia e ka mbështetur fuqimisht këtë afrim, sidomos në mënyrë të veçantë vendimin e samitit të NATO-s të prillit të kaluar për ta ftuar Shqipërinë që të bëhet anëtare. Por kryetari i shtetit italian i ka bërë të qartë Presidentit shqiptar se tashmë në Itali ka ikur koha kur paragjykoheshin shqiptarët. Napolitano rikujtoi se përballë një fluksi të çrregullt emigrantësh nga Shqipëria, vite më parë ka ekzistuar edhe rreziku i krijimit të një opinioni negativ e të gabuar publik në Itali. “Këto rreziqe i kemi mënjanuar. Kemi punuar shumë së bashku dhe sot bashkësia shqiptare është një nga bashkësitë më të mirintegruara në vendin tonë, pa as edhe një hije tensioni dhe paragjykimi”, - u shpreh z. Napolitano. Në këtë takim, Presidenti nënvizoi se zgjerimi dhe forcimi i marrëdhënieve me Italinë, si dhe synimi për intensifikimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes vendeve tona, përqendron domosdoshmërisht vëmendjen drejt çështjes së qarkullimit të lirë të njerëzve, për të cilën shprehu mendimin se është e nevojshme të krijohen lehtësira të mëtejshme. Gjithashtu, gjatë bisedës, kryetari i shtetit shprehu mirënjohjen për kujdesin e treguar nga qeveria italiane, si dhe për mbështetjen që ajo u ka dhënë dhe u jep emigrantëve shqiptarë, duke nënvizuar rëndësinë e veçantë që do të kishte dhe krijimi i kushteve më të favorshme për arsimimin në gjuhën shqipe. Gjatw qëndrimit nw Itali u prit dhe nga presidenti i Dhomës së Deputetëve të Italisë, Xhanfranko Fini. Në këtë takim, kreu i shtetit shqiptar vuri në pah nevojën e liberalizmit të regjimit të vizave duke pasur parasysh bashkësinë shqiptare në Itali, e cila është e integruar plotësisht në jetën e këtij vendi dhe theksoi se ky liberalizim do të mundësonte lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, do të rriste edhe shkëmbimet ekonomike, tregtare, kulturore etj.Presidenti i Dhomës së Deputetëve shprehu gatishmërinë e Italisë për të rritur ndjeshëm marrëdhëniet dhe bashkëpunimin dypalësh, si dhe garantoi Presidentin Topi se vendi i tij mbështet fuqimisht përpjekjet integruese të Shqipërisë për në Bashkimin Evropian. Presidenti Topi dhe z. Fini diskutuan edhe mbi situatën në rajon, duke ndarë mendimin se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, mbarë rajoni ballkanik është i orientuar krejtësisht drejt integrimit të plotë në strukturat euroatlantike dhe thellimit së bashkëpunimit ekonomik. Z. Fini vlerësoi lart rolin moderues dhe të rëndësishëm të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në Ballkan në drejtim të ruajtjes së paqes dhe qëndrueshmërisë afatgjatë dhe rritjes së prosperitet ekonomik. Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, të shoqëruar edhe nga delegacioni zyrtar, morën pjesë në përurimin e librit të Kardinalit Sepe në Auditorin Augustinian. Po sot Zonja e Parë, në kuadër të një programi të veçantë, vizitoi spitalin e njohur botërisht për kurimin e fëmijëve “Bambin Gesu’’.