E Diel, 1 Nëntor 2026

Samiti i PPE-ve, Berisha sot në Bruksel

Kryeministri Sali Berisha do të udhëtojë sot drejt Brukselit ku do të marrë pjesë në samitin e radhës të Partive Popullore Evropiane. Partia Demokratike e Shqipërisë është anëtare e PPE-ve. Gjatë vizitës njëditore në Bruksel Kryeministri shqiptar do të zhvillojë takime të veçanta dhe me liderët e partive të djathta evropiane, pjesëmarrëse në samitin e sotëm. Berisha niset drejt Brukselit në një kohë kur klasa politike shqiptare është përfshirë nga një debat i gjerë, në qendër të të cilit është biznesmeni serbo-boshnjak Damir Fazlliç. Kreu i qeverisë para dy ditëve lajmëroi publikisht se do të kërkojë hetim ndërkombëtar me qëllim zbardhjen e akuzave të opozitës nëse Fazlliçi ka përfituar nga fondet publike të qeverisë gjatë ushtrimit të aktivitetit të tij në Shqipëri. Berisha paralajmëroi se do t’u kërkojë vendeve mike për këtë nismë dhe nuk dihet saktësisht nëse samiti i sotëm në Bruksel është momenti i duhur për ta bërë një gjë të tillë, edhe për faktin se në PPE, janë të grupuara të gjitha partitë e djathta evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›