Patozi: Çfarë do të zbardhë komisioni “Fazlliç”
Parlamenti, përmes një komisioni të posaçëm pozitë-opozitë, do të vërtetojë nëse ekziston apo jo ndonjë përplasje ndërinstitucionale mes prokurorisë dhe dy Ministrive, të Brendshme dhe të Drejtësisë, por dhe nëse biznesmeni Damir Fazlliç ka përfituar nga qeveria shqiptare. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, konfirmoi dje se do të jetë ky komision i cili do të hedhë dritë mbi përplasjet e fundit ndërinstitucionale që kanë përfshirë organin e akuzës dhe qeverinë. Patozi komentoi edhe deklaratat e SHBA-së dhe BE-së për çështjen në fjalë, teksa bëri të qartë se diplomatët perëndimorë nuk flasin për përplasje mes institucioneve në komunikatat publike. Por kreu i deputetëve demokratë i vë në dukje opozitës dhe trumbetimit që ajo po i bën çështjes “Fazlliç” se trembet nga komisioni parlamentar, pasi ai mund të nxjerrë në pah andrallat e reja dhe të vjetra të saj. "Do të hetojmë përplasjen mes Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Drejtësisë me Prokurorinë e Përgjithshme", - tha z. Patozi. Kreu i grupit kuvendor të PD-së vuri në dukje se “ajo që po kërkon qeveria është një sfidë e pastër politike, ku i thuhet opozitës se në rast se një për qind e pretendimeve të tyre qëndrojnë, ato të verifikohen nga një trupë hetuesish ndërkombëtarë dhe hetuesish shqiptarë, e cila do ta bënte më të shpejtë rezultatin e hetimit”. Patozi shpjegoi dhe procedurat që do ndiqen për hetimin nëse biznesmeni serbo-boshnjak ka qenë apo jo përfitues nga fondet publike të qeverisë. Sipas tij, grupit të ekspertëve do t'i bashkohen dhe prokurorë shqiptarë dhe misioni do të jetë hetimi për implikimin e mundshëm të Fazlliçit me qeverinë. “Hetimi ndërkombëtar bëhet me iniciativën e qeverisë për dy çështje, në mënyrë që ekspertët e huaj t'i bashkëngjiten trupës së ekspertëve shqiptarë për të arritur në një konkluzion të përbashkët për implikimin e mundshëm të qeverisë në çështjen Fazlliç, si dhe është një sfidë e pastër që qeveria i bën opozitës, dhe opozita duhet ta mbështeste, por në fakt ka ndodhur e kundërta”, - pohoi kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi.