E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK, Stani: Jo thellim të konfliktit ndërinstitucional

Demokristianët shprehën dje shqetësimin për thellimin e konfliktit ndërmjet institucioneve kushtetuese. Sekretari politik i kësaj partie, Lazër Stani, vuri në dukje se ''PDK-ja nëpërmjet grupit të saj parlamentar, në respekt të Kushtetutës së vendit, do t’i japë gjithë mbështetjen e saj pushtetit gjyqësor dhe në veçanti, Prokurorisë së Përgjithshme, në kryerjen e misionit të saj kushtetues. PDK-ja e inkurajon atë të vazhdojë në përputhje me ligjin, zbardhjen e ngjarjeve të rënda dhe dosjeve që kanë krijuar shqetësim në opinionin tonë publik". Më tej, Stani theksoi se ''PDK-ja vlerëson dhe mbështet plotësisht mesazhin e qartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aleatit dhe partnerit tonë kryesor dhe beson se qeveria do të reflektojë ndaj këshillave dhe sugjerimeve miqësore që vijnë nga ky vend mik". PDK-ja vëren me shqetësim rritjen e tensionit dhe thellimin e konfliktit midis institucioneve kushtetuese, duke krijuar një kosto të panevojshme për vendin, reformat, të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë, por edhe duke dëmtuar imazhin e qeverisjes së maxhorancës së djathtë, kur kanë mbetur më pak se dhjetë muaj nga zgjedhjet e reja parlamentare. “Ne vlerësojmë punën e deritanishme të Prokurorisë së Përgjithshme dhe e gjykojmë të dënueshme ngritjen e strukturave paralele për të dubluar dhe vënë nën presion Prokurorinë e Përgjithshme, siç deklaroi Kryeministri për rastin e hetimit të dosjes “Fazlliç”, - tha z. Lazer Stani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›