E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Norvegjia, ratifikim protokollit të NATO-s

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, mori garancinë se "Parlamenti norvegjez do të votojë brenda sesionit të vjeshtës, protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO". Z. Basha zhvilloi një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Norvegjisë, me ftesë të homologut të tij, Jonas Gahr Store. Gjatë takimit, dy ministrat evidentuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve. Në këtë drejtim, ministri Basha vlerësoi mbështetjen që Norvegjia ka dhënë në procesin e integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike. Duke informuar mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri në fushat politike dhe ekonomike, ministri Basha vuri theksin në reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në ekonomi si dhe efiçencën në luftën kundër korrupsionit. Duke i kushtuar një vend të rëndësishëm gjatë bisedës për zhvillimet në rajon pas pavarësisë së Kosovës, të dy ministrat ndanë të njëjtin mendim mbi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në dobi të paqes dhe stabilitetit dhe të perspektives euroatlantike të gjithë Evropës Juglindore. Ndërsa, ministri i Jashtëm norvegjez u shpreh i befasuar nga "progresi që ka bërë Shqipëria në lidhje me axhendën aktive dhe ambicioze të reformave". "Ne jemi krenarë ta kemi Shqipërinë si pjesë të aleancës së NATO-s. Vizita juaj na jep mundësi të rishikojmë marrëdhëniet tona dypalëshe të cilat janë të shkëlqyera dhe kanë një potencial shumë të madh, për ngritje thelbësore", - tha ministri i Jashtëm i Norvegjisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›