E Diel, 1 Nëntor 2026

Konflikti me Topin, Imami tërheq emërimin, por thotë se nuk ka shkelur Kushtetutën

Share

(E PERDITESUAR)- Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, është tërhequr nga emërimi i komandantit të Flotës Detare, pas konfliktit me presidentin Bamir Topi.

Ministria e Mbrojtjes i është përgjigjur kërkesës për sqarim nga ana e Presidencës duke njoftuar se urdhri për emërimin e Ferdinand Kreshpanit si Komandant i Forcave Detare është revokuar.

Ministria e Mbrojtjes ka sqaruar se emërimi i Kreshpanit në këtë pozicion është bazuar në traditën midis këtij institucioni dhe atij të presidencës.

Pas revokimit të urdhrit të emërimit të Kapitenit të Rangut të I-rë, Ferdinand Kreshpani, si Komandant i Forcave Detare, aktualisht Komanda e Forcave Detare do të drejtohet nga Zëvendëskomandanti i Forcave Detare.

Aktualisht mbështetur në nenin 21 të ligjit nr. 9171 datë 22.01.2004, Për gradat dhe karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë është ngritur Komisioni i Veçantë i Karrierës, i cili po shqyrton oficerët për grada madhore. Në momentin më të parë pas përfundimit të procedurave të shqyrtimit nga ky Komision, do tiu përcillen kandidatët përkatës për gradim në gradën Kundëradmiral dhe emërimin në detyrë të Komandantit të Forcës Detare.

Ministria e Mbrojtjes po shqyrton përgjegjësitë administrative të personelit të Ministrisë së Mbrojtjes, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Mbrojtjes.

Megjithatë Imami ka mbrojtur pozicionin e tij, duke thënë se nuk ka shkelur Kushtetutën, pasi ka të drejtën të emërojë një kolonel në atë detyrë. Ai sjell shembullin kur një kolonel është emëruar në atë detyrë nga ish- presidenti Moisiu dhe thekson se vetë Topi nuk ka reaguar kur i janë propozuar tre kolonelë për Komandant të Forcës Ajrore. Për nxjerrjen e urdhrit të emërimit, Ministria e Mbrojtjes është mbështetur në praktikën e deritanishme të ndjekur nga ana e dy institucioneve tona. Ministria e Mbrojtjes me shkresën nr. 1832 më 22.02.2005, propozoi emërimin e Komandantit të Forcës Detare, Kapitenin e Rangut të I-rë, Kristaq Gërveni. Presidenti i Republikës, z. Alfred Moisiu me dekretin nr. 4494 më 28.02.2005, emëroi Kapitenin e Rangut të I-rë, Kristaq Gërveni, Komandant të Forcës Detare. 

Në vijim, Ministria e Mbrojtjes me shkresën nr. 1711, datë 13.3.2008, propozoi emërimin e një prej tre kandidaturave kolonelë në detyrën e Komandantit të Forcës Ajrore. Nga ana Juaj nuk është proceduar për emërimin e një prej tre kandidaturave të propozuara.

Duke u nisur nga këto praktika dhe në zbatim të nenit 19, pika 13, të ligjit nr. 8671, datë 26.10.2000 Për Pushtetet dhe Autoritetet e Komandimit e të Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, i ndryshuar, Ministri i Mbrojtjes vendosi emërimin e Kapitenit të Rangut të I-rë, Ferdinand Kreshpani në detyrën e Komandantit të Forcave Detare, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›